E Diel, 1 Nëntor 2026

Kredia për individë dhe biznese vijon rritjen, Tirana dominon financimin për banesa

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Kredia për individët dhe bizneset vijoi të rritet gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa kushtet e financimit mbetën përgjithësisht të favorshme.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit qershor kredia për individët u rrit me 17,1% në terma vjetorë, e mbështetur kryesisht nga kredia në lekë, e cila u zgjerua me 20,2%, ndërsa kredia në valutë u rrit me 5,5%.

Tirana vijon të jetë qendra kryesore e financimit për familjet, veçanërisht për blerjen e banesave. Rreth 56,8% e kredisë konsumatore përqendrohet në kryeqytet, ndërsa pesha e Tiranës në kredinë hipotekore arrin rreth 75%, duke treguar përqendrimin e lartë të tregut të financimit të banesave në kryeqytet.

Në të njëjtën kohë, kredia për bizneset u rrit me 11,6% në terma vjetorë në gjashtëmujorin e parë të vitit. Tregtia vijon të jetë sektori me kontributin më të madh në këtë rritje, duke dhënë 6,1 pikë përqindje, ndërsa kredia për këtë sektor përbën 46,2% të portofolit të kredisë për bizneset. Industria renditet pas saj, e ndjekur nga ndërtimi, i cili zë 21,7% të portofolit, dhe shërbimet me 16,1%. Bujqësia vijon të ketë peshën më të ulët, me 1,3% të kredisë për bizneset.

Normat e interesit kanë mbetur përgjithësisht të qëndrueshme, ndërsa orientimi drejt financimit në lekë vijon të forcohet. BSH bën të ditur se, rritja e kreditimit për individët dhe bizneset tregon një zgjerim të financimit bankar të ekonomisë, megjithëse të dhënat evidentojnë një përqendrim të fortë të kredisë për banesa në Tiranë.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›