FSK pajiset me dronët amerikanë RQ-20 Puma, Maqedonci: Thellohet bashkëpunimi me SHBA-në

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Forcat e Sigurisë së Kosovës janë pajisur me dronë amerikanë të AeroVironment RQ-20 Puma të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ministria e Mbrojtjes prokurimin e Fluturakeve pa Pilot “Puma” nga ShBA e ka realizuar përmes programit shtet më shtet të njohur si Foreign Military Sale (FMS). Pagesa për këtë sistem është realizuar në vitin 2021”, ka shkruar ai në Facebook.
Maqedonci shkruan më tej në rrjetet sociale se dronët janë një kapacitet tjetër i nevojshëm për rritjen e aftësive të FSK-së në fushën e sistemeve ajrore pa pilot.
“Bashkëpunimi me ShBA në fushën e mbrojtjes po thellohet dhe zgjerohet vazhdimisht duke kontribuar në zhvillimin e ushtrisë tonë si dhe në arritjen e interesave të përbashkëta të dy vendeve tona”, shkruan ai.
Më herët është raportuar se Kosova ka kërkuar 40 dronë gjithsej të modelit Puma Long Endurance. Mjeti pa pilot është i pajisur me kamera infrakuqe dhe ndriçues me lazer, dhe ka aftësinë të qëndrojë në ajër më shumë se 6 orë me bateri të veçanta. Mësohet se këta dronë përdoren nga trupat amerikanë në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës KFOR për të vëzhguar kufijtë e vendit.
/rtsh.al/