FUTBOLL – Premier League nis me duele titanësh

MANCHESTER, 18 qershor /ATSH/ – Liverpooli fillon mbrojtjen e titullit të Premier League kundër Bournemouth, ndërsa Manchester United pret Arsenalin, sipas AP.
Liverpooli do ta nisë sezonin 2025-26 të Premier League me një ndeshje në shtëpi kundër Bournemouth për të filluar mbrojtjen e titullit, ndërsa Manchester United pret Arsenalin në një ndeshje të rëndësishme në javën e parë.
Liverpooli do të kërkojë një kampionat të tretë të ligës në gjashtë vjet, me shumë mundësi me organizatorin e lojës, gjermanin Florian Wirtz në skuadër, dhe do të luajë ndeshjen e parë të sezonit të premten në mbrëmje në Anfield, më 15 gusht.
Një muaj i parë i vështirë për kampionët e Arne Slot përfshin ndeshje kundër ekipeve të tjera kualifikuese të Ligës së Kampionëve – Newcastle jashtë fushe në javën e dytë, e ndjekur nga një ndeshje në shtëpi kundër Arsenalit një javë më vonë.
Arsenali, i cili përfundoi i dyti për të tretin vit radhazi sezonin e kaluar, shkon në ”Old Trafford” për ndeshjen e tij të parë dhe do të luajë kundër Liverpoolit, Manchester Cityt dhe Newcastle në gjashtë ndeshjet e tij të para.
United do të kërkojë të përmirësojë vendin e 15-të zhgënjyes sezonin e kaluar dhe ka një nisje të vështirë, me një derbi të Manchesterit jashtë fushe kundër Cityt në javën e katërt të ndeshjeve dhe një ndeshje në shtëpi kundër Chelseat në raundin e pestë.
Premier League publikoi sot edhe orarin e ndeshjeve për sezonin 2025-26 duke u dhënë ekipeve dhe tifozëve të tyre një shans për të filluar planifikimin më pak se një muaj që nga përfundimi i sezonit të fundit.
Ndeshja e parë e Thomas Frank në Premier League si trajner i Tottenham, pasi zëvendësoi Ange Postecoglou, do të jetë në shtëpi kundër Burnley.
Manchester City dhe Chelsea aktualisht po luajnë në Kupën e Botës për Klube, që do të thotë se mund të jenë në Shtetet e Bashkuara deri në finalen e meskorrikut. Në këtë rast, ata do të kenë një muaj pushim deri në fillimin e sezonit të Premier League./ a.jor.