Fakulteti i Sporteve dhe Komiteti Olimpik i Kosovës, bashkëpunim për Lojërat Mesdhetare 2030

PRISHTINË, 27 janar /ATSh/ Përfaqësues të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit kanë zhvilluar sot një takim me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, ku është diskutuar thellimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e sportit.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt krijimit të projekteve të përbashkëta që synojnë zhvillimin dhe avancimin e sportit në vend.
Gjatë bisedës, palët shkëmbyen ide konkrete për iniciativa që do të kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe akademike, si dhe në promovimin e vlerave olimpike. Një pjesë e veçantë e diskutimeve iu kushtua edhe mundësive të bashkëpunimit në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030.
Nga “FEFS” u theksua se takime të tilla janë thelbësore për ndërtimin e urave mes institucioneve dhe krijimin e sinergjive afatgjata, të cilat do të sjellin përfitime të drejtpërdrejta për të gjithë komunitetin sportiv në Kosovë.
/KosovaPress//r.e/