E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama për arrestimin e tre zyrtarëve të komunës: Askush mbi ligjin

PRISHTINË, 27 janar /ATSh/ Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas arrestimit të tre zyrtarëve të komunës.

Ai ka thënë se komuna do të ofrojë “bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente”.

Tutje, ka theksuar se mbetën të hapur për çdo proces verifikimi dhe veprimi procedural, për çka ka shtuar se “Askush mbi ligjin!”.

“Kryeqyteti riafirmon përkushtimin ndaj sundimit të ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Në lidhje me arrestimin e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik. Në këtë frymë, Kryeqyteti Prishtina mbetet i hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural, në frymë bashkëpunimi dhe me respekt të plotë për organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës. Askush mbi ligjin!”, ka shkruar Rama.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje për aksionin ndaj zyrtarëve të Komunës së Prishtinës.

Gjatë këtij aksioni janë shoqëruar tre persona, nën dyshimin e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”, raporton KosovaPress.

Në këtë njoftim thuhet se zyrtari i komunës me inicialet A.G është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Marrje e ryshfetit”.

/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›