E Hënë, 2 Nëntor 2026

Familjarët identifikojnë trupin e Eglant Koçit, dyshohet se u qëllua me plumb në kokë. Dërgohet për ekspertizë në morg

Trupi i të riut Eglant Koçi, i cili ishte shpallur i zhdukur prej dy javësh, është gjetur në një zonë rurale mes Tiranës dhe Elbasanit. Pas kërkimeve intensive të zhvilluara nga policia dhe grupi hetimor, është konfirmuar se bëhet fjalë për 34-vjeçarin, për fatin e të cilit ekzistonin dyshime se ishte vrarë.

Sipas informacioneve paraprake, në trupin e viktimës është konstatuar një plagë në pjesën e pasme të kokës, e cila dyshohet se është shkaktuar nga një goditje me armë zjarri. Identifikimi është kryer nga familjarët, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se trupi është gjetur në gjendje dekompozimi.

Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se Koçi është rrëmbyer dhe më pas vrarë. Për këtë ngjarje, policia ka shpallur në kërkim 41-vjeçarin Armand Shakaj, i cili dyshohet si autori kryesor. Ndërkohë, në pranga është vendosur edhe 25-vjeçari Enea Zyferi, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim. Zyferi rezulton të ketë qenë kamerier në lokalin në pronësi të Shakajt.

Gjatë hetimeve, policia ka arritur të lokalizojë motorin e viktimës, si dhe ambientin ku dyshohet se ai është mbajtur pas rrëmbimit. Pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar largimin nga kjo zonë të Armand Shakajt me automjet, ndërsa hetuesit dyshojnë se në mjet ndodhej edhe trupi i pajetë i Koçit.

Sipas burimeve hetimore, për të fshehur gjurmët e krimit, autori i dyshuar ka lëvizur motorin e viktimës nga zona ku dyshohet se ndodhi ngjarja drejt zonës së “5 Majit” në Tiranë, ku ai u gjet dy ditë pas krimit.

Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë dhe zbardhjen e motiveve që çuan në këtë krim të rëndë.

RTSH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›