Faqet globale të internetit dalin jashtë shërbimit pas problemeve në “Cloudflare”

LONDËR, 5 dhjetor /ATSH-DPA/- Një mori faqesh interneti, duke përfshirë “LinkedIn”, “Zoom” dhe “DownDetector”, kanë dalë jashtë shërbimit sot në mëngjes për shkak të problemeve të reja në “Cloudflare”.
“Cloudflare” njoftoi sot se po hetonte problemet me “Cloudflare Dashboard” dhe API-të (ndërfaqet e programimit të aplikacioneve) përkatëse.
Biznesi i softuerëve tha se përdoruesve u ishin shfaqur një numër i madh faqesh bosh – si rezultat i problemeve në “Cloudflare”.
Më vonë, “Cloudflare” tha se po zbatonte një zgjidhje të mundshme për problemin dhe se po monitoronte rezultatet.
Megjithatë, një numër faqesh interneti dhe platformash nuk funksionuan, duke përfshirë faqen “DownDetector” të përdorur për të monitoruar problemet e shërbimit online.
Përdoruesit raportuan gjithashtu probleme me faqet e tjera të internetit, duke përfshirë “Zoom”, “LinkedIn”, “Shopify” dhe “Canva”, megjithëse shumë prej tyre tani janë sërish në shërbim.
Pas rikthimit të shërbimit, faqja e internetit “DownDetector” regjistroi më shumë se 4,500 raportime në lidhje me problemet në “Cloudflare”.
Kompania ndërmjetëse e aksioneve me qendër në Indi, “Groww”, tha gjithashtu se po përballej me probleme teknike për shkak të një ndërprerjeje globale në “Cloudflare”. Shërbimet e saj tani janë rikthyer.
“Cloudflare” ofron shërbime rrjeti dhe sigurie për shumë biznese online në mënyrë që të ndihmojë faqet dhe aplikacionet të funksionojnë.
Rreth 20% e të gjitha faqeve të internetit përdorin një formë të shërbimeve të saj.
Kjo vjen vetëm tre javë pasi problemet e mëparshme në Cloudflare goditën lojëra si X, ChatGPT, Spotify dhe lojëra shumëlojtarësh, të tilla si League of Legends.
“Nëse një ofrues i madh si “Cloudflare” ndalon së punuari për ndonjë arsye, mijëra faqe interneti bëhen menjëherë të paarritshme”, tha këshilltari global i sigurisë kibernetike në ESET, Jake Moore.
“Problemet shpesh qëndrojnë në faktin se ne po përdorim një rrjet të vjetër, për të drejtuar përdoruesit e internetit në të gjithë botën drejt faqeve të internetit – por kjo thjesht thekson se ekziston një pikë e vetme e madhe dështimi në këtë dizajn të trashëguar”, shtoi ai. //a.i/