E Premte, 6 Nëntor 2026

Ferencvaros turpëron Milan, “djalli” nuk njihet në Evropë, Amorim pa fjalë

Triumfi në derbi ishte thjesht në iluzion, me Milan që rikthehet në Evropë dhe “bie” keq brenda në “San Siro”, pëson një humbje të rëndë 0-2 përballë Ferencvaros. Trajneri Amorim kishte bërë një rotacion thuajse të plotë, por kjo lëvizje i kushtoi shtrenjtë pasi kuqezinjtë nuk njiheshin në fushë. E besoni apo jo, por vetëm në pjesën e parë hungarezët goditën 5 herë kuadratin dhe krijuan 2 raste të pastra për gol.

Për fat të mirë, pjesa e parë u mbyll me rrejta të paprekura, por gafat vijuan edhe në fraksionin e dytë, ku i pari që gaboi ishte portieri Torriani, me këtë të fundit që i dhuroi Lenny Joseph një assist të pastër, me këtë të fundit që e kishte të lehtë të shtynte topin në portën e boshatisur.

Historia u përsërit sërish pak minuta më vonë, ku në të 66-tën, Ferencvaros i kapi mat me një zbritje të shpejtë në sulm, me Lenny Joseph që kompletoi “dopjetën” e tij personale duke hedhur në tapet Milan pasi kuqezinjtë e kishin të vështirë të reagonin edhe pse hungarezët mbetën me 10-të lojtarë pas minutës së 77-të.

Europa League duket një ngarkesë për Milan në një kohë kur në 4 ndeshjet e Fazës së Ligës kanë marrë vetëm 3 pikë duke u renditur në vendin e 28-të, ndërsa Ferencvaros vijon ecurinë perfekte me 13 pikë në 4 ndeshje. E kishte shumë të vështirë të shpjegonte këtë disfatë trajneri Ruben Amorim:

“Nuk kam çfarë të them, nuk ka shpjegim për këtë humbje. Nuk mbaj mend kurrë të kemi zhvilluar një pjesë të parë si kjo. Bëhet fjalë për ambicie, për përqendrim, diçka që ne nuk e kishim, bëmë dhurata idiote, thjesht nuk ishim përgatitur për të luajtur futboll”, u shpreh Amorim.

© BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›