“Do të të godas me grusht”, Spalletti shpërthen ndaj lojtarit të Juventusit gjatë ndeshjes

Luciano Spalletti ka humbur durimin me mbrojtësin kolumbian Juan Cabal gjatë minutave të fundit të përballjes së Juventusit me AZ Alkmaar, në Ligën e Evropës.
Pavarësisht fitores 2-1 dhe tri pikëve të rëndësishme, fundi i takimit u shoqërua me tensione në kampin bardhezi, pasi disa gabime në repartin defensiv rrezikuan t’i kushtonin shtrenjtë skuadrës italiane.
Momenti që shkaktoi zemërimin e trajnerit erdhi pas një gabimi të Cabal në mbrojtje. Kolumbiani u kap në befasi nga kundërshtari, i cili krijoi një rast të rrezikshëm që përfundoi me topin në rrjetë. Megjithatë, goli i barazimit u anulua për pozicion jashtë loje.
Kamerat televizive filmuan reagimin e ashpër të Spallettit, i cili iu drejtua drejtpërdrejt mbrojtësit me gjeste të tensionuara.
“Do të të godas me grusht, e kupton? E kupton?”, dëgjohet t’i thotë trajneri italian lojtarit të tij, në pamjet e transmetuara pranë pankinës.
Pas ndeshjes, Spalletti foli edhe për problemet që e shqetësojnë më shumë te skuadra e tij, duke kritikuar mungesën e përqendrimit dhe hezitimin e lojtarëve në momentet vendimtare.
“Jam i bindur kur shoh se kanë qëndrimin e duhur. Ajo që më shqetëson është kur pëson një gol dhe më pas fillon të kërkosh përgjegjësitë te njëri-tjetri. Lojtarët nuk marrin vendime, hezitojnë dhe në fund kundërshtari përfiton nga hapësirat”, u shpreh Spalletti.
Tekniku i Juventusit theksoi se mosmarrja e një vendimi në fushë është edhe më e dëmshme sesa marrja e një vendimi të gabuar.
“Vendimet që nuk merren janë më të këqija se ato të gabuara. Nëse merr një vendim dhe gabon, dëmi është më i vogël sesa kur nuk vendos fare”, deklaroi trajneri.
Kështu, edhe pse Juventusi siguroi fitoren, reagimi i Spallettit tregoi qartë pakënaqësinë e tij ndaj gabimeve individuale dhe mungesës së përqendrimit në repartin defensiv.
Lajme të Sugjeruara