E Diel, 1 Nëntor 2026

Fermerët protestojnë:Jemi në pikë të hallit, s’bëjmë dot asnjë punë. Ministria:Nafta s’negociohet

Pasi qeveria vendosi të heqë mbështetjen e naftës për ta, fermerët protestuan këtë të martë para Ministrisë së Bujqësisë për të kërkuar mes të tjerash rikthimin e skemës. Në të kundërt, ata thonë se rrezikohet prodhimi vendas, pasi kostoja me çmimin që nafta  ka sot në treg është shumë e lartë.

Përballë kostove të rritura, fermerët ose do të shtrenjtojnë çmimet, ose do të heqin dorë nga bujqësia.

“Nuk prodhohet asgjë në këtë vend me 230 lekë/naftë”, u shpreh një nga fermerët.

“Ne kemi fikur traktorët sepse nuk e mbulojmë dot naftën. Jemi në pikë të hallit. S’kemi ardhur për qejf, as për të bërë shfaqje, as për militantë të partisë”, thonë fermerët. “Duam naftë pa taksa!”

Disa minuta pas protestës, një grup prej 10 fermerësh u prit në takim nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, për të dëgjuar kërkesat e tyre.

Pas 2 orësh takim, përfaqësia e fermerëve njoftoi se nga ministria iu është premtuar se skema kombëtare e mbështetjes mund të rishikohet në shtator, por rikthimi i mbështetjes për naftën nuk negociohet.

Kjo përgjigje e ministrisë nxiti përplasje mes fermerëve.

Një pjesë e tyre e konsideruan takimin si tallje, duke deklaruar se ata kanë nevojë sot për mbështetje ose në të kundërt do të shkojnë drejt falimentit dhe drejt produkteve të importit.

Pas përçarjes, një pjesë e fermerëve u shpërndanë, ndërsa të tjerë diskutuan për datën e protestës së radhës./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›