Zhvillimi urban i Pogradecit, ekspertët: Ndërtimet e reja të mos prekin identitetin e qytetit

Pogradeci konsiderohet sot një nga qytetet turistike që është zhvilluar në mënyrë të natyrshme, duke ruajtur identitetin dhe ritmin e vet urban .
Por ndërsa turizmi rritet shtohen edhe shqetësimet për mënyrën se si po zhvillohet qyteti. sipas ekspertit të planifikimit urban saimir kristo presioni i ndërtimeve private, veçanërisht në qendër, mund të rrezikojë siluetën urbane dhe karakterin që e bën Pogradecin të veçantë.
“Pogradeci ka treguar një nivel të jashtëzakonshëm mbi mënyrën se si i ka zhvilluar gjërat deri sot, qyteti është zhvilluar në një mënyrë organike. Oferta turistike e Pogradecit nuk ka si qëllim të rrisi vlerën e çmimit për turist, apo vlerën e shpenzuar, sigurisht që këto janë gjëra natyrale që ndodhin, sa më shumë atraksione të ketë, shërbime më të mira, sa më shumë cilësi në akomodim, aq më shumë do shpenzojnë vizitorët.
Por ajo çfarë ka Pogradeci pikën më të fortë dhe nuk duhet ta humbasë, duhet të luftojë me esencë më të fortë dhe që e ka në fakt, me idenë që turisti të rikthehet, është nga ato pak territore në të cilin turisti kthehet në një pikë të caktuar të vitit. Janë edhe sfidat që ka qyteti për presionet e zhvillimit privat për të ndërtuar në qendër të qytetit, nisma që mund të shkatërroni siluetin urban që ka ky qytet, nga ana tjetër edhe rezistenca që kanë vetë instancat për të krijuar zhvillim, por jo një zhvillim që prish bukurinë”, Saimir Kristo, ekspert i Planifikimit Urban.
Në këtë kuadër Kristo me studentë të arkitekturës dhe ekspertë të fushës pritet që në Pogradec të zhvillojnë edhe një seri laboratorësh studimi, të cilët do të analizojnë territorin dhe do të propozojnë ide të reja për planifikimin urban.
Nisma synon të ofrojë projekte konkrete por edhe të hapë një debat më të gjerë për mënyrën se si duhet të ndërtohet e ardhmja e Pogradecit mes zhvillimit masiv dhe ruajtjes së identitetit të tij.