E Hënë, 2 Nëntor 2026

Festa e Bajramit në rrethe, sheshet mbushen me besimtarë për faljen e mëngjesit

Agimi i gjeti rrethet e Shqipërisë në atmosferën e festës së Fitër Bajramit. Falja e namazit u dëgjua në të gjitha sheshet e xhamitë e qyteteve kryesore të vendit.

Qindra besimtarë myslimanë në Elbasan morën pjesë në faljen e Fitër Bajramit të mbajtur në qendër të qytetit. Mes njëri-tjetrit besimtarët përcollën urimet më të mira.

Për të kremtuar Fitër Bajramin, korçarët zgjodhen xhaminë historike “Iljaz Bej Mirahori”.

Myftiu i Korçës, Ledian Cikalleshi, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët myslimanë të zonës, duke shprehur dëshirën që kjo festë të sjellë paqe, harmoni dhe begati në çdo familje.

“Sot përmbyllet me sukses sakrifica 30 ditore e besimtarëve myslimanë që kanë agjëruar, kanë kryer vepra të mira, kanë qëndruar larg ushqimit dhe pijes nga mëngjesi deri në darkë, vetëm për hir të Zotit, vetëm se e kërkoi Ai”, tha Cikalleshi..

“Urojmë të gjithë besimtarët myslimanë, në Shqipëri dhe mbarë botën, Gëzuar festën e Fitër Bajramit”, tha një qytetar.

“T’ia kalojnë mirë, t’i begatojë zoti, u ketë falur gjynahet. Të shpresojmë se kjo festë të sjellë gjithmonë, paqe dhe begati”, tha një qytetar tjetër.

Në Berat falja tradicionale u bë në Pedonalen “Republika”, ndërsa në Fier në sheshin kryesor të qytetit. Myftiu Gramoz Blliku uroi besimtarët dhe bëri thirrje për sa më shumë harmoni dhe dashuri mes tyre.

“Gëzuar për shumë vjet Fitër Bajramin”, tha ai.

Shënjtëria e kësaj ditë u ndje në të gjitha qytetet e tjera të vendit, Shkodër, Lezhë, Krujë e Vlorë./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›