E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Festivali “Bylis Polifonia 2025”- Grupi “Zëri i Bilbilit” nga Saranda vlerësohet me çmimin e parë

Plot emocione kaloi mbrëmja e dytë e Festivalit të 12-të “Bylis Polifonia 2025”, mes 21 grupeve polifonike nga të gjitha trevat shqiptare.

Pas interpretimeve në mjedisin antik të Bylisit, juria veçoi në morinë e çmimeve ansamble dhe individë. Kryetari i jurisë, Zhani Ciko, theksoi si veçanti të këtij edicioni origjinalitetin e polifonisë, trashëgimisë shqiptare dhe interpretuesit e rinj.

Çmimi i parë shkoi për grupin “Zëri i Bilbilit” nga Saranda.

E ardhmja e Polifonisë ishte vlerësimi për të rinjtë e talentuar: Grupi i Libohovës dhe ai i Kuçovës.

Për herë të parë në festival, vajzat e Libohovës, grupi i gjimnazisteve, zotëruan me zërat e tyre publikun e shumtë, profesionistë, banorë të zonës dhe shumë pushues.

Shoqata Polifonia Shqiptare vijoi edhe me nderimin për figurat e Ramadan Sokolit dhe Lefter Çipës.

Polifonia shqiptare prej 20 vitesh është pjesë e trashëgimisë botërore, si një pasuri e trashëgimisë botërore e mbrojtur nga UNESCO.

Festivali i Bylisit organizohet nga Shoqata Polifonia Shqiptare me mbështetjen e Bashkisë Mallakastër, për grupet më të spikatura kombëtare e ndërkombëtare, në një konkurrim dinjitoz ku vlerësohen origjinaliteti, interpretimi, kostumografia dhe krijimtaria.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›