Festivali Youth Wave në Shkodër, kufizime të përkohshme në qarkullim

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Shkodra mirëpret sot edicionin e dytë të “Youth Wave Festival”, aktivitet i organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, i cili këtë vit do të zhvillohet në hapësirën përpara kinemasë “Republika”.
Bashkia Shkodër ka njoftuar se, për shkak të aktivitetit, do të ketë kufizime të përkohshme në parkim dhe qarkullim në zonën ku do të zhvillohet festivali.
Parkimi në sheshin përpara Kinema “Republika” do të bllokohet nga ora 06:00 e datës 12 gusht deri në orën 01:00 të datës 13 gusht, ndërsa qarkullimi në bulevardin “Skënderbeu” do të jetë i kufizuar nga ora 18:00 e 12 gushtit, deri në orën 01:00 të 13 gushtit.
Bashkia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin parkimin dhe qarkullimin në këto zona gjatë orareve të përcaktuara, si dhe të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e autoriteteve.
“Youth Wave Festival” organizohet për të dytin vit radhazi. Edicioni i parë u zhvillua verën e kaluar në zonën liqenore të Shirokës, ndërsa këtë vit aktiviteti zhvendoset në qendër të qytetit, me synimin për të përfshirë një numër më të madh të rinjsh.
/e.i/r.e/