Festivali i Parë Ndërkombëtar i Vallëzimit – shfaqje të papritura vallëzimi në Tiranë, Rama ndan mesazhin e Angjelin Preljocajt

Në Tiranë, nga data 9 deri më 25 tetor, do të mbahet Festivali i Parë Ndërkombëtar i Vallëzimit i organizuar nga kompania e koreografit shqiptaro-francez, Angjelin Preljocaj.
Mesazhi i tij është shpërndarë nga Kryeministri Edi Rama, ku thotë se në këto data në Tiranë do të ketë shfaqje vallëzimi për publikun shqiptar në vende të papritura dhe të veçanta të kryeqytetit.
“Me ftesën e vetë yllit botëror të koreografisë, shqiptaro-francezit Angjelin Preljocaj, për të marrë pjesë në një festë të vërtetë të vallëzimit modern, në 10 hapësira publike surprizë të kryeqytetit, nga 9 – 25 tetor, ju uroj të diel të qetë,” ka shkruar Kryeministri në Facebook.
Ylli botëror i koreografisë, shqiptaro-francezi Angjelin Preljocaj në videomesazh fton pjesëmarrësit për të marrë pjesë në një festë të vërtetë të vallëzimit modern, në 10 hapësira publike surprizë të kryeqytetit.
“Këtë vit, krahas disa prej shfaqjeve më emocionuese të Europës në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, Teatrin Kombëtar, Teatrin “Metropol”, Teatrin e Kukullave dhe skena të tjera, Festivali do të hapet për të gjithë qytetin me një shfaqje të re për publikun falas,” njoftoi koreografi Preljocaj.
Angjelin Preljocaj, i lindur në Francë nga prindër shqiptarë, i nisi studimet me baletin klasik përpara se të merrej me baletin modern, duke arritur të interpretonte në skenat botërore. Koreografia e tij përshkruhet si interpretim i baletit klasik dhe modern.
Vitet e mëparshme Preljocaj ka organizuar edhe Festivalin Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor me artistë e koreografë nga kompanitë më prestigjioze në Europë, nën udhëheqjen e tij artistike.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/