E Diel, 1 Nëntor 2026

Filma prej bestsellerave? Të dobët!

Tirana është mbushur gjatë këtyre ditëve me posterat e një filmi të ri, i bazuar në një roman tepër te suksesshëm.

Filmi “Gjahtari i balonave” është një përpunim i novelës se shkrimtarit afgan, Khaled Hosseini. Realisht libri ka qenë një zbulim i vërtetë. I shkruar me një stil të thjeshtë, por prekës, libri ka bërë xhiron e botës duke shitur miliona kopje e fituar çmime të ndryshme. Po filmi?

I vlerësuar nga kritika me notën “B”, ka përshkruar në mënyrë të thjeshtë jetën e personazhit kryesor, Amirit, duke dhënë një vizion të qartë të asaj që do të thotë Afganistan. Deri në këtë pikë, gjithkush që ka lexuar librin do të intrigohej për të parë një film pa aq drithërues, por sa mundësi ka që kjo të jetë e vërtetë? Realisht, libri dhe filmi janë shumë larg.

Pikërisht në këtë moment mua më lindi në mendje pyetja se sa mundësi ka një roman i mirë, të shndërrohet edhe në një film të mirë?

Personalisht, mendoj se mundësia është tmerrësisht e vogël. Regjisorë dhe studio të mëdha të Hollywood-it përpiqen gjithmonë të bëjnë një gjë të tillë. Përpiqen që çdo “Best Seller” ta kthejnë në një film. Përpiqen, por vetëm kaq.

Zor se mund të më kujtohet ndonjë libër që është kthyer në një film të arrirë. I famshmi “Kodi i Da Vinçit” bëri xhiron e botës duke shitur miliona kopje e duke hapur debate pa fund. Por filmi, edhe pse u drejtua nga Ron Howard dhe me një kastë aktorësh të famshëm si Tom Hanks, Jean Reno, Audrey Tautou, Alfred Molina, ai sërish dështoi. Njerëzit lëshuan fantazinë e tyre duke imagjinuar templarë, tempuj, mistere e personazhe mitikë, dhe u përballën me disa kisha të thata në Angli e Skoci. Sigurisht, për producentët e filmit, ai nuk ishte edhe aq keq. Por ata e dinë se 217.5 milionë dollarë amerikanë, nuk janë si efekt i mrekullisë së filmit, por i famës së librit.

E njëjta gjë mund të thuhet për “Kujtimet e një Geishe”. Një libër i mirë, jo ndonjë perlë e rrallë, që pasqyron një botë tjetër. Ndoshta askujt nuk do i shkonte në mendje që të merrte informacione pa fund për jetën e Geishave në Japoninë e largët, por kur lexon librin, lidhesh pas tij e nuk e lëshon dot pa e mbaruar. Sërish, vetëm pak muaj më pas vjen filmi. Sërish zhgënjen. Imagjinata jonë tradhtohet dhe Geisha Sajuri, kthehet në një personazh tepër normal dhe kupton se është e pamundur për të rikthyer magjinë.

Novelat e Ernest Hemingway janë kthyer shumë herë në filma, por sërish pa ia arritur qëllimit

Po të rrija e të jepja shembuj të tjerë, do të bëheshin shumë rreshta e ju do të lodheshit duke i lexuar.

Magjia e librit është tek fantazia e secilit lexues për ta rikrijuar vetë personazhin e preferuar, për t’i dhënë një fytyrë, ashtu siç do ai.

Por në film nuk mund të bëhet kjo gjë. Aktori ka një fytyrë që nuk e ndryshon dot. Ajo mund të jetë krejtësisht ndryshe nga fantazia jote si lexues dhe në këtë moment, zhgënjimi është i paevitueshëm.

Nuk do të doja që të ndikoja në faktin që ju kishin planifikuar që këtë fundjavë të shikonit “Gjahtarin e balonave” në kinema, pasi ai duhet parë. Nuk ka rëndësi nëse e ke lexuar apo jo librin, kinemaja ka gjithmonë një tjetër magji. Por të rikthehemi tek pika e fillimit: Pse dështojnë përpjekjet për të kthyer një “Best Seller” në një film, po aq të suksesshëm?

*Marrë nga bashkëbisedimi i përjavshëm i lexuesve me redaksinë në Blogun e Shekullit (blog.shekulli.com.al)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›