I nxehti afrikan, pa drita dhe ujë
Kufizime 2-3 orë në të gjithë vendin, mungesa e energjisë lë vendin edhe pa ujë
Temperaturat rekord të ditëve të fundit janë shoqëruar me kufizime të energjisë në orare të zgjatura. Të zënë në grackë, klientët e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare janë të detyruar që të kalojnë orët më të nxehta të ditës pa drita, por shumica edhe pa ujë. Duke patur prej vitesh një sistem të dyfishtë nga halli, mungesa e energjisë i ka lënë të gjithë pallatet pa ujë. Shumëkatëshet në kryeqytet mbeten më të diskriminuarit, ku banorëve të tyre, përveç mungesës së ujit dhe dritave u shtohet edhe ngjitja e qindra shkallëve. Interesin pranë Korporatës Elektroenergjitike, për këtë kaos që ka ardhur për shkak të mungesës së energjisë, specialistët e institucionit e justifikojnë me faktin se për këtë çështje duhet që të pyesin Operatorin e Shpërndarjes, që është një njësi e ndarë nga Korporata. Nga ana e Operatorit të Shpërndarjes është bërë e ditur se dita e djeshme do të ishte e fundit përsa i përket kufizimeve të energjisë, që kanë ardhur vetëm për shkak të remonteve.
Harta e kufizimeve
Sipas Operatorit të Shpërndarjes, po kryhet remont në linjat 220 kV dhe 110 kV të Tensionit të Lartë që kryhen nga OST, remontet e nënstacioneve që administrohen nga Njësia e Tensionit të Lartë të OSSH sh.a., dhe remontet e linjave të Tensionit të Mesëm dhe në kabina që administrohen po nga OSSH sh.a. Si pasojë e këtyre kufizimeve, që janë kryesisht gjatë ditës në pikun e temperaturave të larta, qytetarët janë duke përjetuar një situatë aspak të këndshme. “Ne jemi pagues të rregullt të energjisë dhe nuk kemi pse të durojmë në orët më të nxehta të ditës, kufizime të gjatë të energjisë”, sqarojnë banorët e një pallati në zonën e “Parkut të Autobusëve”. Për këta banorë, mungesa e energjisë elektrike me 3 orë në ditë përkthehet gjithashtu në krizë të furnizimit me ujë. “Depozitat me të cilat furnizohet pallati ynë janë në katin e parë dhe mungesa e energjisë lë pompat në stakim. Kjo do të thotë që ne s’kemi asnjë pikë ujë gjatë kësaj kohe dhe unë jam në katin e 10-të në këtë pallat. Është e pamundur që të kemi ujë në shtëpi, për këto orë të mungesës së energjisë”, bën të ditur administratori i një pallati 13-katësh po në këtë zonë. Por e njëjta situatë është në të gjithë kryeqytetin, edhe në pallatet e para viteve ‘90. Fatlumët janë vetëm ata familjarë që kanë depozita sipër pallateve, duke patur mundësi të kenë ujë edhe në orët e vështira të mungesës së energjisë.
Qytet më të mëdha të vendit, bashkë me rrethinat nuk kanë patur energji 2-3 orë gjatë kësaj jave. Kështu Tirana ka patur kufizime 2-3 orë, në të gjithë zonat e saj, po ashtu edhe qyteti i Durrësit. Në Shkodër kufizimet kanë zgjatur më gjatë, duke shkuar deri në 5 orë në zonat rurale. Edhe në Lushnjë ka patur kufizime 2-3 orë, situatë që ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme.
Kriza, Ruli: Jo në 2008
Duke patur të freskët krizën e tmerrshme të energjisë gjatë vitit 2007 dhe gjeneratorët që nuk pushonin për asnjë çast, qytetarët gjatë këtyre ditëve i tremben një situate të ngjashme gjatë muajve në vazhdim. Por ka qenë ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, i cili ka garantuar se gjatë vitit 2008 nuk do të ketë krizë energjitike. Sipas Rulit, vendi është duke importuar sasira të mëdha energjie dhe ka rezerva maksimale ujore, që garantojnë qytetarët për një furnizim të rregullt me energji gjatë 2008.
***
Vera 2007, kriza mbetet e freskët
Mungesa e energjisë gjatë ditëve të fundit, ka rikthyer në memorien e të gjithëve krizën e 2007
Mungesa e energjisë me disa orë gjatë ditëve të fundit ka ngjallur edhe njëherë frikën e përsëritjes së një krize energjitike, që për të gjithë ata që jetojnë në këtë vend, mbetet ende e freskët. Me kufizime drastike që shkonin nga 8-12 orë në ditë, vera e vitit 2007 mund të klasifikohej me të drejtë si “vera e tmerrit”. Në rrugët e Tiranës, por edhe të gjithë rretheve, zhurma e gjeneratorëve ishte shurdhuese. Por çfarë është bërë gjatë këtij viti, për të mos lejuar përsëritjen e të njëjtës situatë? Qeveria shqiptare mbetet e pafuqishme për të bërë diçka në këtë drejtim. Të vetmit që duhet t’i lutemi mbetet shiu, që për fatin tonë të mirë nuk ishte i kursyer në dimrin dhe pranverën e këtij viti. Hidrocentrali më i madh në vend, Fierza mbetet në nivelin e 192 metrave mbi nivelin e detit, vetëm pak metra larg nivelit maksimal. Gjendja hidrike paraqitet e mirë dhe garanton për një vazhdimësi të furnizimit me energji. Por kjo situatë nuk mund të jetë e garantuar më shumë se fundi i vitit 2008. Nëse nuk do të kemi reshje në dimrin e ardhshëm, atëherë vendi mund të përballet sërish me një krizë, pasi sërish nuk kemi asnjë investim të realizuar në këtë fushë, përfshi këtu prodhimin me anë të njësive të reja, apo linjat e reja të energjisë.
Energjia, kufizime nëse s’rritet çmimi
Vetën kështu, sipas Drejtorit të KESH, do të bëhet e mundur që vendi të ruajë furnizimin me energji
Rritja e çmimit të energjisë së datës 1 Prill nuk ka lanë të kënaqur KESH dhe sipas gjasave, do të vijë shumë shpejt edhe kërkesa në drejtim të Entit Rregullator të Energjisë, nga pronari i ri i Sektorit të Shpërndarjes. Por kërkesa është e vazhdueshme edhe nga vetë KESH pasi, sipas drejtorit, Gjergj Bojaxhi, nuk mund të ketë furnizim 24 orë me këto çmime që aplikon tani Korporata për të gjithë klientët. Por Enti duket i vendosur, të paktën me situatën aktuale hidrike, për të mbajtur çmime të pandryshuara.
Kostot e energjisë
Enti Rregullator ka miratuar çmime prej 5.2 deri në 7.5 lekë për kWh për biznesin e furnizuar nga KESH. Çmimet më të ulëta i ofrohen konsumatorëve të mëdhenj që furnizohen drejtpërsëdrejti nga Tensioni i Lartë. Pavarësisht se teorikisht furnizimi në sasi dhe nga tensioni i lartë mbart më pak kosto, në kushtet aktuale, kostoja është gjithsesi shumë më e lartë sesa çmimi. KESH, ka një kosto mesatare për kilovat prej 9.78 lekësh. Energjia e importuar i kushton KESH rreth 10 lekë për kWh, pa futur koston e shërbimit të transmetimit brenda vendit. Ndërsa me paratë e taksapaguesve duhet të mbulohet nga qeveria rreth 1.5 lekë për çdo kilovat për konsumatorët familjarë, po buxheti i shtetit është i detyruar aktualisht të mbulojë kostot e KESH edhe për industrinë private. Vitin e kaluar u shpenzuan 200 milionë euro për import energjie, ndërsa të ardhurat totale të KESH qenë vetëm 220 milionë euro. Këtë vit, megjithëse pritet të shpenzohen po 200 milionë euro për importin, një çmim më i lartë do të reduktojë humbjet në rreth 135 milionë euro, por nuk e zgjidh problemin. Në rast se do të kapeshin të gjithë hajdutët e energjisë elektrike, gjë që është një skenar jorealist, humbjet do të përgjysmoheshin, por sërish mbeten shumë të larta. Kufizimi i importeve të energjisë, nënkupton kufizim në furnizim me drita. Humbjet në këto përmasa të KESH rrezikojnë vetë Buxhetin e Shtetit, i cili ka mbështetur herë pas here Korporatën me financime të drejtpërdrejta.
Kompani me humbje
ERE dhe KESH kanë qenë gjithmonë nën presion politik, sa herë është diskutuar nevoja e rritjes së çmimeve. Teorikisht, ERE është institucion i pavarur. Nuk ka pse t’i japë llogari askujt. Por në vitin 2006, kur ERE vendosi të rrisë çmimin, ndërhyrja e drejtpërdrejtë e kryeministrit Berisha e detyroi të tërhiqte vendimin. Ndërhyrjet politike pritet të shtohen në lidhje me vendimin për çmimin gjatë gjysmës së dytë të këtij viti dhe vitit të ardhshëm, për shkak të afrimit të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009. Situata financiare e KESH po përkeqësohet vazhdimisht, për shkak se 2008 është i dyti vit radhazi me importe të shtrenjta, që arrijnë në vlerën e 200 milionë eurove. Edhe më herët, është pranuar nga zyrtarë të Ministrisë së Financave se shpenzimet e KESH për importet rrezikojnë kolaps financiar të Buxhetit të Shtetit.