E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fino në Budapest: Objektiv, përfundimi i negociatave deri në vitin 2027

TIRANË, 11 mars/ATSH/ Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino mori pjesë në Forumin për Ballkanin, i zhvilluar në Budapest më 10–11 mars, ku u diskutuan zhvillimet e fundit dhe sfidat strategjike në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian.

Në fjalën e saj, Fino theksoi se për Shqipërinë integrimi evropian nuk është një koncept abstrakt gjeopolitik, por një angazhim i përditshëm dhe një mision kombëtar që bashkon shoqërinë dhe forcon zhvillimin afatgjatë të vendit.

Ajo vuri në pah përparimin e Shqipërisë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, duke theksuar se në vetëm 13 muaj vendi ka hapur të 33 kapitujt e negociatave.

“Fokusimi tashmë mbetet tek mbyllja e kapitujve dhe përfundimi i negociatave deri në vitin 2027, me synimin që anëtarësimi në BE të bëhet realitet brenda kësaj dekade”, u shpreh Fino.

Zv/ministrja siguroi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të avancuar bashkëpunimin rajonal dhe për të kontribuar në një të ardhme të qëndrueshme, të sigurt dhe evropiane për Ballkanin Perëndimor.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›