Rama: Kushtetuesja mendoka se 90% e prindërve e mësuesve gabuan për TikTok-un

TIRANË, 11 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mbylljen e rrjetit social TIKTOK në Shqipëri.
Gjykata Kushtetuese vlerësoi se mbyllja e TikTok nuk ishte Kushtetuese, dhe se qeveria nuk kishte një autorizim të qartë ligjor për të bllokuar një platformë online për të gjithë përdoruesit në vend.
Rama u shpreh se me vendimin e dhënë sot, Gjykata Kushtetuese mendon që 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë ishin gabim kur kërkuan mbylljen e TIKTOK-ut, teksa shtoi se TIKTOK u hap falë mirëkuptimit që u gjet tek kompania për masat shtesëqë u morën prej saj.
“Gjykata Kushtetuese mendoka që 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë ishin gabim kur kërkuan mbylljen e TIKTOK-ut! Fatmirësisht ne e rihapëm TIKTOK-un falë mirëkuptimit që gjetëm tek kompania për masat extra që u morën prej saj, pikërisht falë mbylljes, se të ishte për Gjykatën Kushtetuese, s’do ishte mbyllur fare dhe as masat pozitive s’do kishin ardhur dot!”, shkroi Rama.
Rama nënvizoi se, “falë asaj mbylljes sot prindërit dhe mësuesit mund të jenë pakëz më të lehtësuar, ndërsa falë këtij vendimi që s’dua t’ia ve emrin që ka, shpifësit mund të ndjehen të inkurajuar!”.
/gj.m/a.f/