E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fiorentina “trazon” zonën Champions! “Vjollcët” fitojnë ndaj Lazio-s, Inter tregon forcën ndaj Lecce-s

Fiorentina fitoi në Olimpiko 2 me 1 ndaj Lacios, një prej dueleve me interesante të javës së 22 të serisë A, duke e bërë edhe më intriguese garën për zonën Champions.

Përmes fitores në kryeqytet skuadra toskane është ngjitur në vendin e gjashtë në renditje, -2 pikë nga Lacio dhe -1 nga Juventusi, por ndërkohë ka edhe një ndeshje të prapambetur për të luajtur kundër Interit.

Skuadra vjollcë që ishte në krizë të madhe rezultatesh vetëm 2 pikë në 6 takimet e fundit, bëri një pjesë të parë të mrekullueshme.

Jasin Adli në minutën e 11 kaloi në avantazh miqtë me një gjuajtje të bukur nga distanca.

Gjashtë minuta më vonë ishte Beltran me kokë pas një shërbimi të Dodo që dyfishoi shifrat. Lacio u zgjua në pjesën e dytë dhe luajti thuajse gjithën kohën në portën e Fiorentinës, duke u ndihmuar edhe nga dy kartonat e verdhë gati gati absurde të Jasin Adli i cili i mori në kohën që po zëvendësohej duke lënë Fiorentinen me 10 lojtarë.

Gjysmën e pjesës së dytë luajti tek Lacio edhe Elseid Hysaj i cili madje në minutën e 92 ishte protagonisti i krosimit që u shfrytëzua nga Marusic për të shënuar golin që rihapi ndeshjen.

Në minutën e  98 një shtyllë e Pedros nuk i dha mundësi vendasve të dilnin të pamposhtur nga stadium i tyre.

Më herët në një tjetër duel të transmetuar në Tring, Interi tregoi të gjithë forcën e tij duke mposhtur Lecen në transfertë  0 me 4.

Një sukses i rëndësishëm për të mbajtur të njëjtin hap me Napolin që kishte fituar të shtunë kundër Juventusit 2 me 1.

Zikaltërit ndonëse me rotacion në formacion zgjidhën gjithçka që në pjesë  e parë, kur shënuan dy herë me anë të Fratezit dhe Lautaro Martinez.

Në pjesën e dytë Dumfris dhe Taremi thelluan goleadën.

50 pikë për Interin që ka 3 pikë më pak sesa Napoli dhe një ndeshje ende për të rikuperuar./vizionplus.tv

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›