E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fitorja ndaj Serbisë, lojtarët e Kombëtares të emocionuar pas ndeshjes

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Futbollistët e Kombëtares u shfaqën shumë të emocionuar dhe të lumtur pas fitores 1-0 me Serbinë mbrëmjen e sotme në Leskovac.

Në intervistat pas ndeshjes mesfushori Kristjan Asllani u shpreh se ekipi kombëtar shqiptar e dinte se vetëm tre pikët, bënin punë.

“E dinim se sot na duheshin tre pikë, sepse një pikë nuk na hynte në punë. E studiuam mirë Serbinë dhe jam shumë i lumtur dhe besoj se shqiptarët janë të gjithë në festë tani. Jemi shumë të lumtur që kemi Ylber Ramadanin dhe Juljan Shehun”, tha Asllani.

Ndërsa sulmuesi Armando Broja, duke shprehur emocionet e mëdha pas këtij triumfi të rëndësishëm për kuqezinjtë, u shpreh se besonte tek fitorja

“Besoja se do ia dilnim”, tha Broja, duke theksuar besimin dhe përgatitjen që skuadra kishte për këtë përballje.

“Që kur erdhëm, të gjithë ishim të motivuar, të gjithë ishim në një mendje për ta fituar ndeshjen, dhe sot e arritëm fitoren”.

Broja vlerësoi lart paraqitjen e ekipit.

“Kemi luajtur shumë mirë, u mbrojtëm shumë mirë”, u shpreh ai.

Sulmuesi nuk e fshehu gëzimin e tij për këtë sukses. “Unë jam shumë i gëzuar”. Ai e përshkroi takimin si një ndeshje të vështirë, por theksoi se vendosmëria e lojtarëve bëri diferencën. “E dinim që ishte ndeshje e vështirë, por ne ishim të vendosur për fitore”.

Mbrojtësi Elseid Hysaj, theksoi se priti 11 vite për të marrë këtë fitore.

“Prita 11 vite për të fituar”, tha Hysaj.

“Këtë herë ia thashë edhe trajnerit, që kemi dy ndeshje shumë të vështira në nëntor. E korrigjuam atë barazimin me Letoninë. Ia vlen ta festojmë këtë fitore. Po krijohet një grup i ri dhe i mirë në Kombëtare. Broja ka kualitete të mëdha. Duhet ta kuptojmë ne. Herët ose vonë do shpërthejë. Me Brojën e di që duhet të mbroj më shumë unë”, u shpreh Hysaj.

Edhe sulmuesi Myrto Uzuni u shfaq shumë i lumtur pas fitores ndaj Serbisë.

Në prononcimin pas ndeshjes, ai tha se është një fitore e grupit, ndërsa theksoi se për Kombëtaren është gati të luajë në çdo vend.

“Emocion shumë i madh. Kemi bërë fitore historike. Të gjithë dhanë shpirtin në fushë. Kjo Kombëtare ka grupin dhe jo individin”, u shpreh ai.

“Më shumë e përjeton familja. Unë stërvitem shumë për të arritur këtu. Unë gjithë kohën ia dedikoj futbollit. Unë kam katër vite që luaj si sulmues qendre, por nëse kombëtarja ma kërkon, luaj edhe si mbrojtës. Kemi festuar shumë. Kemi Jordaninë tani”, tha ai.

Shqipëria renditet e dyta në grupin K të eliminatoreve të Botërorit 2026 me 11 pikë pas 6 ndeshjeve, ndërsa Serbia renditet e treta me 7 pikë pas 5 ndeshjeve.

Grupi kryesohet nga Anglia me 15 pikë pas 5 ndeshjeve. Ekipi i renditur i dyti në grup shkon në “play off”-in për Botërorin 2026.

Fitorja në këtë ndeshje shënon një hap të madh drejt kualifikimit për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA-Kanada dhe Meksikë.

/gj.m/ /a.g/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›