Fjalori i përbashkët i prokurimit, shtohen rregulla për koncesionet dhe PPP-të

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime fjalorin e përbashkët të prokurimit.
Ndryshimet bazohen në ligjin për prokurimin publik, si dhe ligjin e ri për koncesionet dhe partneritetin publik-privat.
Sipas vendimit, fjalori i përbashkët i prokurimit do të zgjerohet me shtojca të reja si dhe do të përfshijë edhe zbatimin e tij në kontratat e koncesioneve dhe partneriteteve publike-private.
Aktualisht, fjalori i përbashkët i prokurimit përbëhet nga një fjalor kryesor dhe një fjalor plotësues, i cili përdoret për të zgjeruar përshkrimin e objektit të kontratave. Ai përfshin një kod alfanumerik që lejon identifikimin e detajuar të mallrave dhe shërbimeve që prokurohen.
Kodi përbëhet nga një strukturë me shkronja dhe numra, ku shkronja e parë dhe e dytë identifikojnë ndarjet dhe grupet, tre shifrat pasuese përcaktojnë nënndarjet, ndërsa shifra e fundit shërben për verifikimin e të dhënave.
Në vendim parashikohet gjithashtu shtimi i shtojcave të reja shoqëruese, përfshirë fjalorin plotësues dhe tabela krahasuese midis kodeve CPV dhe klasifikimeve të ndryshme ekonomike dhe industriale.
Ndryshimet synojnë përmirësimin e klasifikimit të procedurave të prokurimit dhe harmonizimin e tij me standardet ndërkombëtare.
Vendimi parashikon që akti të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”, ndërsa një pjesë e ndryshimeve do të hyjë në fuqi pas zbatimit të ligjit të ri për koncesionet dhe PPP-të.