Flakët afrohen pranë banesave në fshatin Gojan të Madh, digjen katër shtëpi të pabanuara

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Situata nga zjarret vijon të jetë e vështirë në Gojan të Madh, në lagjen Pepaj (Pukë), ku flakët u janë afruar banesave.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, deri tani janë raportuar 4 banesa të pabanuara të djegura, ndërsa një banesë e banuara, e cila ndodhej në rrezik, është shpëtuar nga flakët.
Për mbrojtjen e banesave janë dislokuar 5 mjete zjarrfikëse dhe 30 forca ushtarake, ndërsa ndërhyrja po vijon edhe nga ajri me një helikopter të Forcave të Armatosura.
Ndërkohë, në aksin Gojan-Gjegjan-Tërbun vijon një angazhim i përforcuar operacional. Në terren janë angazhuar 255 forca dhe 11 mjete zjarrfikëse, ndërsa operacioni mbështetet nga 2 helikopterë të Forcave të Armatosura.
Forcat në terren vijojnë përpjekjet për vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit dhe mbrojtjen e banesave dhe banorëve nga përhapja e flakëve.
/m.q/r.e/