Flakët përfshijnë makinën në Korçë, shkrumbohet një tjetër në Qeparo. Dyshohet defekte teknike

Një automjet është përfshirë nga flakët këtë të enjte në lagjen nr. 4 të Korçës.
Sipas informacioneve paraprake, mjeti ka qenë në lëvizje kur dyshohet se ka pësuar një defekt teknik, i cili ka shkaktuar edhe shpërthimin e zjarrit.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, ndërsa policia ka nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të incidentit.
Në një incident të ngjashëm, një mjet tjetër ka marrë flakë në rrugën Qeparo-Kuç. Edhe në këtë rast dyshohet për një defekt teknik, ndërsa automjeti ka pësuar djegie totale.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për të sqaruar shkakun e saktë të të dy incidenteve.
/rtsh.al/