Fluks i lartë drejt Jugut dhe Korçës, Policia Rrugore nxjerr në terren makinat inteligjente dhe radarët: Evitoni parakalimet e gabuara

Fluksi i lartë i automjeteve që lëvizin nga Tirana drejt juglindjes (Korçë) dhe jugut (Vlorë), ka vënë në lëvizje të menjëhershme Policinë e Elbasanit.
Drejtoria Vendore e Policisë (DVP) Elbasan njoftoi sot se ka kaluar në një plan masash të përforcuar për të menaxhuar situatën e trafikut, e cila parashikohet të jetë e rënduar dhe me qarkullim të ngadalësuar.
Shtohen patrullat në pikat nevralgjike
Për të përballuar numrin e lartë të mjeteve që përshkojnë këtë nyje lidhëse të rëndësishme, Policia Rrugore ka dislokuar patrulla shtesë në të gjitha akset problematike. Qëllimi është parandalimi i bllokimeve totale dhe garantimi i një lëvizjeje sa më të rrjedhshme, pavarësisht ngarkesës. Monitorimi nuk do të jetë vetëm fizik. Policia bën me dije se në terren janë vendosur automjete inteligjente dhe radarë automatikë, të cilët do të skanojnë çdo shkelje, me fokus parandalimin e aksidenteve.
Apeli për rrugë alternative
Për drejtuesit e mjeteve që kanë si destinacion final Vlorën ose Gjirokastrën, Policia Rrugore e Elbasanit ka një këshillë specifike:
“Aty ku është e mundur, përdorni rrugë alternative”.
Përveç menaxhimit të trafikut, shqetësim kryesor mbetet siguria. Policia u bën thirrje shoferëve të tregojnë durim dhe të qëndrojnë në radhë.
“Shmangni parakalimet e gabuara, të cilat mund të kthehen në burim aksidentesh tragjike ose bllokimesh zinxhir të qarkullimit,” thuhet në njoftim.
/rtsh.al/