MIE përgënjeshtron “ndëshkimin”: Sekretariati i Energjisë përcaktoi masa që duhen përmbushur deri në korrik 2026

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përgënjeshtruar dezinformimin, sipas saj, keqdashës dhe që e ka quajtur lajm tërësisht i pavërtetë dhe i qëllimshëm për sektorin energjetik.
Sipas sqarimit të posaçëm nuk ka ekzistuar, nuk ekziston dhe nuk është marrë asnjë vendim i BE-së (organeve të saj) ndaj Shqipërisë.
“Diskutimet e zhvilluara së fundmi kanë qenë vetëm në nivelin e Sekretariatit të Energjisë, një strukturë teknike e krijuar posaçërisht për të asistuar vendet jo-anëtare dhe nxitur zhvillimin e sektorit energjetik në linjë me standardet e vendeve te BE-së”, shpjegon deklarimi publik.
“Gjatë mbledhjes së Sekretariatit të Energjisë të mbajtur javën e kaluar, janë identifikuar masa të përgjithshme që duhet të përmbushen nga të gjitha vendet anëtare (të këtij Traktati) deri në korrik 2026”, Sqaron Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në rastin e Shqipërisë, kërkesa konsiston në përafrimin e ligjit për sektorin e energjisë me Rregulloret e BE-se, një proces normal dhe i planifikuar, për të cilin projektligji dhe aktet e tjera janë përfunduar, publikuar për konsultim publik dhe disa të miratuara.
“Paraqitja e kësaj procedure si “ndëshkim” apo “përjashtim” është manipulim i hapur i fakteve dhe sulm i pastër, i qëllimshëm, dhe i koordinuar ndaj sektorit energjitik shqiptar”, vlerëson Ministria.
“Theksojmë me forcë se në asnjë raport zyrtar të Komunitetit të Energjisë nuk përmenden ndëshkime apo shkaqe për mospërmbushje detyrimesh për TEC-in e Roskovecit, termocentralet lundruese, rrjetin e interkonjeksioni apo të tjera’” përforcon reagimin e saj administrata shqiptare e këtij sektori.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/