E Diel, 1 Nëntor 2026

Fluks në kufi- Policia Kufitare me shërbim të zgjatur, shtohen sportelet dhe efektivët në pikat kufitare të juglindjes

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë ka kaluar në shërbim të zgjatur në të katër pikat e kalimit kufitar të juglindjes për të përballuar fluksin e shtuar të lëvizjeve gjatë sezonit turistik.

Rritja më e madhe e qarkullimit regjistrohet në pikat kufitare të Kapshticës dhe Qafë Thanës, ku mesatarisht gjate sezonit turistik regjistrohen deri në 20 mijë hyrje-dalje në ditë të shtetasve shqiptarë dhe të huaj.

Për të përballuar këtë fluks, Policia Kufitare ka shtuar numrin e sporteleve në funksion, si dhe efektivët në shërbim, me qëllim përshpejtimin e procedurave të kontrollit dhe shmangien e pritjeve të gjata.

Masat vijnë edhe pas radhëve të krijuara ditët e fundit në këto dy pika kufitare, ku në orët e pikut udhëtarët kanë pritur deri në dy orë për të kaluar kufirin.

Në Kapshticë, vonesat janë shkaktuar kryesisht nga procedurat më të detajuara të kontrollit të zbatuara nga pala greke, ndërsa në Qafë Thanë pritjet lidhen me punën e palës maqedonase me personel të reduktuar gjatë sezonit.

Policia Kufitare bën të ditur se masat e shtuara do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror, me synim garantimin e një lëvizjeje sa më të shpejtë, të rregullt dhe të sigurt për të gjithë udhëtarët.

Gazetare: K. Koçi             

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›