E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fluks vizitorësh përgjatë korrikut, 1.5% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë

Gjatë korrikut 2025, në territorin e Shqipërisë hynë mbi 2.66 milionë shtetas shqiptarë dhe të huaj, një rritje prej 1.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet shënuan një rritje edhe më të lartë, me 2.57 milionë persona që lanë vendin, ose 9.6% më shumë se në korrik 2024.

Nga të dhënat e INSTAT, 837 mijë shtetas shqiptarë hynë në vend, ndërsa 782 mijë dolën prej tij, duke treguar një lëvizshmëri të shtuar të qytetarëve vendas.

Për shtetasit e huaj, hyrjet arritën në mbi 1.82 milionë, ndërsa daljet pothuajse 1.8 milionë, një shifër që tregon ciklin e turizmit të sezonit veror.

Pjesa dërrmuese e hyrjeve të të huajve, rreth 95% vijnë nga Evropa, ku spikat Evropa Jugore me 68% të fluksit.

Megjithatë, vihet re një rritje e vizitorëve nga Amerika, Azia Lindore dhe rajoni i Paqësorit.

Analiza tregon se Shqipëria mbetet e varur nga turizmi rajonal, por rritja e interesit nga tregjet më të largëta mund të sinjalizojë diversifikim të vizitorëve në vitet e ardhshme. Rritja e udhëtimeve për qëllime biznesi dhe profesionale me 15.6% sugjeron gjithashtu një dimension të ri ekonomik përtej turizmit tradicional.

Situata e re shfaq mundësi për konsolimin e ofertës turistike dhe për të shtrirjen e ndikimit ekonomik të turizmit përtej sezonit veror.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›