Flukset turistike në Portin e Durrësit, masa për shërbim efikas

TIRANË, 4 korrik/ATSH/ Në kuadër të sezonit turistik veror 2025, Autoriteti Portual Durrës ka nisur zbatimin e një plani të detajuar masash për garantimin e një shërbimi efikas dhe të sigurt për të gjithë pasagjerët dhe operatorët që kalojnë përmes Portit më të madh në vend.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD-së, Kreshnik Bajraktari, zhvilloi një inspektim në Terminalin e Trageteve, duke verifikuar nga afër përgatitjet e strukturave portuale dhe operimin në kushte optimale.
Bajraktari deklaroi se plani i masave është hartuar në bashkërendim të plotë me të gjitha instancat shtetërore dhe private që operojnë në port, me qëllim garantimin e një sezoni të qetë dhe të sigurt për qytetarët dhe turistët.
Në fokus është kontrolli dhe menaxhimi efikas i hyrje-daljeve në territorin portual, përmirësimi i kushteve të pritjes për pasagjerët, mbështetja e ekipeve mjekësore, si dhe garantimi i një klime të qetë dhe bashkëpunuese mes strukturave publike, koncesionare dhe operatorëve detarë.
Porti i Durrësit është një nga pikat me fluksin më të lartë të udhëtarëve veçanërisht gjatë sezonit veror.
1 nga 9
/k.s/j.p/