Forbes Global Properties hap dyert në Shqipëri, Rama: Pronat e familjeve shqiptare do të kenë më shumë vlerë

Forbes Global Properties, rrjeti prestigjioz ndërkombëtar i pasurive të patundshme, ka hapur dyert në Shqipëri përmes përfaqësuesit ekskluziv Capital Point.
I pranishëm në ceremoninë e posaçme që u mbajt në Pallatin e Brigadave, kryeministri Edi Rama tha se prania e një rrjeti të tillë në Shqipëri është një sinjal të fortë për zhvillimin e tregut shqiptar të pasurive të paluajtshme.
“Është e vërtetë që sot Shqipëria është një destinacion shumë tërheqës dhe është një gjë shumë e mirë të dish që Forbes Properties ka një shprehje shumë të fortë interesi për Shqipërinë. Ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë ata që janë të përfshirë në industrinë e pasurive të paluajtshme, por është po kështu edhe lajm shumë i mirë për të gjithë shqiptarët, sepse nënkupton që pronat, pasuritë e tyre, po marrin gjithmonë e më tepër vlerë”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri theksoi se ky investim nuk është i zakonshëm, pasi Forbes nuk zgjeron praninë e saj në çdo treg.
“Ata shkojnë saktësisht aty ku mendojnë se ka një horizont të ri. Dhe fakti që kanë zgjedhur Shqipërinë, tregon besim dhe vizion për të ardhmen”, tha Rama
Ai rikujtoi gjithashtu deklaratën e tij në Vjenë, ku u shpreh se pasuritë e paluajtshme në Shqipëri përfaqësojnë një mundësi të jashtëzakonshme investimi, veçanërisht në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Në 4 apo 5 vitet e ardhshme, vlera e pasurive të paluajtshme do të dyfishohet. Në një vend ku 94% e familjeve zotërojnë shtëpitë e tyre, kjo është një rritje me ndikim të madh social dhe ekonomik. Është diçka e jashtëzakonshme që vlera e shtëpisë, e banesës si pasuri të rritet në të tillë mënyrë, kështu që është diçka shumë pozitive. Pastaj, pyetja se si do të trajtojmë nevojën për strehim të përballueshëm është mjaft legjitime, por nuk nënvlerëson, përparimin e jashtëzakonshëm dhe ndryshimin e madh që po përjetojmë sa i takon vlerës së pasurisë së paluajtshme”, deklaroi Rama.
/rtsh.al/