E Diel, 1 Nëntor 2026

Forcat Operacionale zbarkojnë në burgun e Durrësit, hetim shokëve të qelisë pas arratisjes së Altin Ndocit

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sistemin e sigurisë në burgje mesditën e sotme. I paraburgosuri Altin Ndoci, një emër i njohur për drejtësinë dhe i akuzuar për vrasje të shumëfishta në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ka mundur të arratiset. Ngjarja ka ndodhur në ambientet spitalore, ku Ndoci ishte shoqëruar për vizita mjekësore.

Zbarkojnë Forcat Operacionale

Sipas gazetares së RTSH 24, menjëherë pas dhënies së alarmit, Forcat Operacionale të Burgjeve janë nisur me urgjencë nga Tirana drejt Burgut të Durrësit, ku Ndoci qëndronte i izoluar.

Misioni i tyre është hetimi i thelluar i rrethanave të arratisjes. Fokusi kryesor është marrja në pyetje e personave që kanë ndarë qelinë me Ndocin.

Agjentët po kryejnë kontrolle të imtësishme për të zbuluar nëse ka pasur bashkëpunëtorë të brendshëm, nëse plani ishte i paracaktuar, apo nëse ka elementë të tjerë që mund të çojnë në gjurmët e tij.

Sipas njoftimit zyrtar, Ndoci ka shfrytëzuar një moment duke i shpëtuar oficerit të policisë që e shoqëronte.

“Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali,” thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Burgjeve.

Strukturat e Policisë së Shtetit janë vënë në ndjekje dhe po krehin zonën për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Profili/ Kush është Altin Ndoci?

Altin Ndoci konsiderohet si një person me rrezikshmëri të lartë dhe njihet si anëtar i organizatës kriminale të “Çopjave”.

Emri i tij lidhet direkt me një nga ngjarjet më të përgjakshme të viteve të fundit, e njohur si “Masakra e Bradasheshit” në Elbasan. Në këtë atentat mbetën të vrarë Endrit Alibej (vëllai i Erion Alibeajt), xhaxhai i tij Arben Dylgjeri, si dhe shtetasi turk Erdal Duranay.

Sipas dosjes hetimore të SPAK:

Ndoci akuzohet gjithashtu për pjesëmarrje në vrasjen e shtetasit Andi Zylyfi.

Mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” (ndaj dy ose më shumë personave), “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve”, dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›