Ministria e Bujqësisë zbret në terren: Nis shpërndarja e bazës ushqimore për bagëtitë në zonat e izoluara
Pas reshjeve intensive të ditëve të fundit që shkaktuan përmbytje dhe vështirësi në disa zona të vendit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nisur ndërhyrjen emergjente për të mbështetur blegtorët e prekur.
Ministri Andis Salla njoftoi sot se ka filluar shpërndarja e bazës ushqimore për gjënë e gjallë, një masë kjo e ndërmarrë pas verifikimeve paraprake në terren dhe vlerësimit të dëmeve nga strukturat përkatëse.
Ndërhyrje për të shpëtuar ekonominë blegtorale
Sipas ministrit Salla, ky operacion synon të minimizojë pasojat e rënda që uji dhe lagështira kanë krijuar për fermerët, duke rrezikuar ushqimin e kafshëve.
“Në terren për shpërndarjen e bazës ushqimore për gjënë e gjallë, pas situatës problematike të krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit”, shkruan ministri në një reagim në rrjetet sociale.
Qëllimi kryesor është garantimi i furnizimit bazë për të siguruar vijimësinë e aktivitetit blegtoral, duke mos lejuar që dëmet nga moti të kthehen në një krizë për mirëqenien e kafshëve dhe ekonominë e fermerëve.
Shpërndarja po kryhet në bashkëpunim të ngushtë me njësitë e qeverisjes vendore dhe strukturat e Emergjencave Civile. Prioritet u është dhënë zonave më kritike, ku prania e ujit ka bllokuar depot e ushqimit ose ka vështirësuar aksesin e blegtorëve në to.
/rtsh.al/