Forcimi i lidhjes me tregun e punës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë dhe ai i Gjuhëve të Huaja organizojnë panairin e punës

TIRANË, 29 prill/ATSH/ Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë në bashkëpunim me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja organizuan sot edicionin e katërt të “Panairit të Punës 2025”, i cili u zhvillua në ambientet e përbashkëta të dy institucioneve.
Panairi mblodhi së bashku rreth 50 përfaqësues nga institucione shtetërore, kompani private, agjenci punësimi dhe organizata të ndryshme, të cilat paraqitën ofertat e tyre për praktika profesionale dhe mundësi punësimi për studentët.
Qëllimi i këtij panairi ishte gjithashtu dhe forcimi i lidhjes midis fakulteteve dhe tregut të punësimit, duke u krijuar studentëve mundësinë për të ndërtuar kontakte të drejtpërdrejta me përfaqësues të bizneseve dhe institucioneve, si dhe për t’u informuar mbi aftësitë dhe përgatitjen që kërkon tregu i punës.
Panairi u përshëndet nga zv. dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Prof. Dr. Shezai Rrokaj dhe dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha.
Prof. dr. Shezai Rrokaj, në fjalën e tij falënderoi pjesëmarrësit në emër të dekanit të Fakultetit Prof. Dr. Mark Marku dhe theksoi rëndësinë e afrimit të tregut të punës me institucionet akademike, duke vlerësuar rolin që kanë Zyrat e Karrierës në lehtësimin e këtij bashkëpunimi.
Ai u bëri thirrje të pranishmëve të shfrytëzojnë këtë mundësi për të krijuar lidhje direkte me studentët dhe për të ndarë informacionet e nevojshme që i ndihmojnë ata të përgatiten për tregun e punës. Entet publike dhe private, nuk duhet të jenë aspak të ndara me universitetet, përkundrazi ato duhet të forcojnë kontaktet me njëra-tjetrën.
Nga ana tjetër, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha falënderoi të gjitha bizneset pjesëmarrëse për gatishmërinë që iu përgjigjën thirrjes së “Panairit të Punës”.
Në fjalën e saj ajo theksoi që kjo traditë e krijuar ka realizuar objektivat dhe strategjinë që kanë dy fakultetet, për të mbajtur sa më afër biznesin me studentët dhe me programet e studimit.
Ky panair është i rëndësishëm sepse gërsheton formimin universitar të dy fakulteteve me zhvillimet e shpejta të tregut të punës dhe kërkesën për aftësi të reja, përfshirë aftësitë teknologjike dhe aftësitë e buta, ku të dyja fakultetet po përpiqen të ecin me frymën e këtij trendi të fundit.
Ky aktivitet u organizua nga Zyrat e Këshillimit të Karrierës të dy fakulteteve dhe do të vazhdojë edhe në vitet në vazhdim.
1 nga 7/k.s/j.p/