Rama: Shumica dërrmuese e shqiptarëve thonë në çdo anketim se mbështesin PS-në

TIRANË, 29 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim elektoral me gratë dhe vajzat në Roskovec, ku theksoi se “shumica dërrmuese e shqiptarëve sot thonë në çdo anketim se mbështesin PS-në”.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se këto janë ditët kur duhet t’i jepet një mundësi të gjithë atyre që nuk janë të informuar, të qartë dhe të bindur se çfarë transformimi ka ndodhur në Shqipëri në këto 3 mandatet tona të informohen, pasi shumë nga gjërat nuk gjenden dhe nuk shihen dhe nuk thuhen askund”.
“Ka ende shume për të bërë dhe ne duhet të vazhdojmë punën, ka plot të tjerë që nuk kanë mundësi ta shohin progresin e Shqipërisë në pasqyrat e televizorëve, ku siç e keni parë arrihet deri në marrëzinë që teksa publikohen sondazhet që na japin fitues në të gjithë kanalet, sondazhe të bërë nga lloj-lloj grupesh që nga sondazhisti i Presidentit amerikan deri në sondazhistë të njohur në Europë, ata që i komentojnë fyejnë një popull të tërë, përqeshin një popull të tërë, duke e komentuar faktin se shumica e shqiptarëve mbështesin PS-në, faktin që shumica e shqiptarëve mendojnë se Shqipëria është në drejtimin e duhur si një sëmundje duke thënë ky popull është i sëmurë, ky popull është çmendur, ky popull është i trembur deri në palcë, ky popull është i shitur prandaj mendon kështu”, nënvizoi Rama.
Fatmirësisht, vijoi Rama, puna jonë nuk është një punë që mbetet larg jetës së njerëzve. Duke iu referuar një materiali me tabela me treguesit kryesorë të këtyre 12 viteve, Rama tha se janë fakte që njerëzit sipas kategorive, vendeve i prekin dhe prandaj shumica dërrmuese e shqiptarëve sot thonë në çdo anketim se mbështesin PS-në.
Më tej, Rama u ndal tek ndryshimet transformuese në Roskovec.
“Roskoveci është vërtet një pasqyrë e jashtëzakonshme e një transformimi të pabesueshëm sidomos kur ke parasysh se sa i braktisur, sa i rrënuar, i zhytur në izolim dhe në dëshpërim ishte i gjithë ky qytet. Sot është kaq i bukur kaq i buzëqeshur dhe realisht e kuptoj shumë mirë edhe arsyen pse vlera e pronave është rritur, kërkesat për të ndërtuar në këtë qytet janë rritur. Sepse puna e bërë dhe gjithë kjo pastërti dhe ky kujdes që duket në çdo hap dhe në çdo anë që hedh sytë janë një arsye jo thjesht për të vlerësuar atë që është, por edhe për të parë të nesërmen me optimizëm dhe për të besuar tek e ardhmja e këtij qyteti”, tha Rama.
/k.s/j.p/