E Diel, 1 Nëntor 2026

Forcohet kuadri ligjor kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes shqyrtoi dhe miratoi sot projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit’, të ndryshuar”.

Zëvendësministri i Financave, Andi Mehmeti u shpreh se projektligji synon përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe institucional në këtë fushë, duke e përafruar atë me standardet më të fundit ndërkombëtare në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Sipas tij, vlerësimet e taskforcës së Veprimit Financiar tregojnë se Shqipëria ka bërë progres në formalizimin e ekonomisë, në reduktimin e përdorimit të parasë fizike (cash) dhe në forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar për parandalimin e krimit financiar.

Ndërkohë, drejtori i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Ervin Koçi theksoi se ndryshimet synojnë forcimin e mekanizmave ligjorë dhe përfshirjen për herë të parë të konceptit të financimit të armëve të dëmtimit në masë, duke zgjeruar fushën e veprimit të ligjit.

“Projektligji parashikon detyrime të shtuara për subjektet, përfshirë masa më të forta për identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve, si dhe raportim të detyrueshëm në çdo rast dyshimi, pavarësisht pragjeve të përcaktuara”, tha ai.

Një element i rëndësishëm është edhe fuqizimi i rolit të Agjencisë së Inteligjencës Financiare, e cila do të ketë kompetenca të zgjeruara për analiza strategjike dhe koordinim ndërinstitucional, si dhe të drejtën për të mbledhur të dhëna për hartimin e Vlerësimit Kombëtar të Rrezikut.

Po ashtu, projektligji parashikon mundësinë e bllokimit ose ngrirjes së përkohshme të transaksioneve financiare deri në 72 orë në rastet e dyshimeve të bazuara, përfshirë edhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Në të njëjtën kohë, parashikohet hartimi dhe rishikimi periodik, jo më pak se çdo katër vjet, i Vlerësimit Kombëtar të Rrezikut dhe planit përkatës të veprimit, me synim rritjen e efektivitetit në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, deklaroi Koçi.

Në përgjigje të pyetjes së deputetit të opozitës Erald Kapri, se çfarë po bëhet për rritjen e sigurisë financiare në vendin tonë në sektorin e ndërtimit, Koçi tha se shumica e rasteve të referuara në organet ligjzbatuese lidhen me aktivitetet në ndërtim dhe pasuritë e paluajtshme, duke shtuar se shumica e sekuestrove realizohen në këtë sektor.

Ai theksoi se institucionet po forcohen dhe bashkëpunojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të parandaluar aktivitetet e paligjshme.

“Patjetër që sektori i ndërtimit mbetet motor i zhvillimit të vendit, duke kontribuar rreth 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Objektivi ynë është që aktiviteti i tij të kthehet në një drejtim të qëndrueshëm zhvillimi”, theksoi Koçi.

Duke folur për sigurinë e tregjeve financiare, ai vuri në dukje hyrjen e Shqipërisë në sistemin SEPA, daljen nga lista gri dhe stabilitetin e arritur financiar, duke theksuar gjithashtu se SEPA ka ulur ndjeshëm kostot për qytetarët.

Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, foto: Andrin Hoxha 1 nga 6

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›