E Diel, 1 Nëntor 2026

Forcohet siguria kufitare, Drejtori i Doganave Besmir Beja pret delegacionin e UNODC-së në Tiranë

Për të rritur sigurinë në pikat kufitare dhe për të goditur në mënyrë më efikase trafiqet e paligjshme, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi ditën e sotme një takim zyrtar me një delegacion të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC). Delegacioni u kryesua nga Danilo Rizzi, Përfaqësuesi Rajonal i UNODC-së për Europën Juglindore.

Në qendër të diskutimeve ishte rritja e kapaciteteve të strukturave doganore shqiptare për parandalimin e aktiviteteve të paligjshme. Drejtori Beja theksoi angazhimin maksimal të Administratës Doganore për thellimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, me synim zhvillimin e infrastrukturës së kontrollit kufitar bazuar në nevojat konkrete të institucionit.

Të dyja palët ndanë qëndrimin se bashkëpunimi i ngushtë rajonal dhe ndërkombëtar është thelbësor për t’u përballur me sfidat komplekse të krimit të organizuar dhe kontrabandës që cenojnë integritetin e kufijve.

Programi i mbështetur nga Bashkimi Evropian

Gjatë tryezës, përfaqësuesit e UNODC-së prezantuan nismat aktuale që po zbatohen në rajonin e Evropës Juglindore, si pjesë e një programi të përbashkët me Bashkimin Evropian. Ky program synon forcimin e sundimit të ligjit nëpërmjet institucioneve më të përgatitura; përmirësimin e masave të kontrollit në porte, aeroporte dhe pika të tjera të kalimit kufitar; reagim më të koordinuar të agjencive ligjzbatuese ndaj rrjeteve ndërkombëtare të trafikut.

Trajnim i posaçëm për aeroportet në muajin Maj

Si rezultat konkret i këtij bashkëpunimi, në përmbyllje të takimit u konfirmua organizimi i një trajnimi praktik bazë për njësitë e kontrollit në aeroporte. Trajnimi do të zhvillohet në Tiranë nga data 4 deri më 8 maj 2026.

Ky aktivitet, i cili realizohet në kuadër të Programit për Kontrollin e Pasagjerëve dhe Ngarkesave të UNODC-së, do të aftësojë oficerët e doganës dhe të policisë kufitare me aftësi të reja praktike. Qëllimi është identifikimi i shpejtë i kërcënimeve të lidhura me trafikun e mallrave dhe njerëzve, si dhe përmirësimi i koordinimit operacional mes institucioneve të menaxhimit kufitar.

Takimi i sotëm u vlerësua si një hap i rëndësishëm në intensifikimin e bashkëpunimit institucional për garantimin e sigurisë në kufijtë e Shqipërisë.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›