Fotogaleri/ Tirana e mbushur me turistë edhe në shtator

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Rrugët dhe sheshet kryesore të Tiranës janë të mbushura me turistë nga vende të ndryshme të botës edhe këtyre ditëve të mesit të shtatorit, kur sezoni veror ka mbaruar.
Vetëm një shëtitje rrugëve të kryeqytetit ku vjeshta sapo ka nisur të ndihet dhe vëren grupe të mëdha vizitorësh që shohin me kuriozitet vendet e trashëgimisë kulturore, si kalaja e Tiranës, muzeu “Shtëpia me Gjethe”, “BunkArt” apo godinat historike të qytetit.
Turistët i gjen kryesisht përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, sheshit “Skënderbej”, te “Piramida”, e cila tashmë ofron një pamje të re, në Bunk’Art, Xhaminë e Et’hem Beut, por edhe në muzetë e Tiranës.
Të shoqëruar nga guidat turistike ata tregojnë interes për të mësuar më shumë për Tiranën, si dhe fiksojnë në aparatet fotografikë rrugët, sheshet dhe monumentet e kulturës që ndodhen në kryeqytet.
Në vetëm 15 kilometra katrorë sipërfaqe, në Tiranë mund të shijosh thuajse të gjitha format e turizmit, duke nisur nga ai kulturor, historik, duke vijuar te turizmi arkitekturor e kulinar, e mandej te turizmi malor dhe ai i aventurës.
Turistët e këtij shtatori në Tiranë ATSH i sjell përmes fokusit të fotografit Florian Abazaj. /k.s/j.p/
Turistë në Tiranë, foto: Florian Abazaj 1 nga 39