E Martë, 3 Nëntor 2026

Fotoreporteri Agim Dobi, tri dekada pas objektivit të ATSH-së

TIRANË, 23 maj/ATSH/ Fotoreporteri Agim Dobi është një prej punonjësve më të vjetër të Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) i cili për vite me radhë ka punuar me përkushtim dhe pasion në shërbim të lajmit dhe dokumentimit të çdo ngjarjeje përmes objektivit të aparatit fotografik.

Me emocion e respekt, stafi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare organizoi një ceremoni simbolike për të nderuar punën e gjatë e të palodhur të fotografit Dobi me rastin e daljes së tij në pension.

Për tri dekada në ATSH, Dobi ka lënë gjurmë të pashlyera në arkivin e këtij institucioni duke rrëfyer me gjuhën e fuqishme të fotografisë momentet më të rëndësishme të jetës politike, sociale dhe kulturore të vendit.

Objektivi i tij ka fiksuar jo vetëm ngjarje, por edhe emocione; jo vetëm personalitete, por edhe historitë që qëndrojnë pas tyre duke lënë një trashëgimi të vyer për arkivën kombëtare të lajmit dhe për historinë e fotografisë shqiptare.

Drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa vlerësoi kontributin dhe punën me pasion të fotoreporterit Dobi.

“Sot përcjellim në pension një profesionist të rrallë, që ka fiksuar me objektivin e tij historinë tonë të përbashkët. Faleminderit për punën, pasionin dhe kujtimet që na le pas! Rruga e mbarë në kapitullin e ri!”, u shpreh Zhupa.

Kolegë dhe bashkëpunëtorë ndanë kujtime dhe episode të veçanta nga puna me Dobin duke nënvizuar profesionalizmin dhe përkushtimin e tij gjatë gjithë këtyre viteve pune në ATSH.

Në mbi 20 vite fotoreporteri Agim Dobi ka realizuar mijëra fotografi, pjesë e arkivës vizuale të ATSH-së, foto të cilat nuk janë thjesht ilustrime lajmesh, por dëshmi e drejtpërdrejtë e momenteve kyçe në vend.

Stafi i ATSH-së i uroi mjeshtrit të fotografisë, Agim Dobi pension të mbarë dhe me më shumë kohë për të vazhduar pasionin e tij të fotografisë./e.r/ /a.g/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›