E Diel, 1 Nëntor 2026

Franca dhe Gjermania kërkojnë nga Kurti angazhim për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

PRISHTINË, 22 mars /ATSH/ Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe kancelari  i Gjermanisë Friedrich Merz në letrat e tyre të urimit pas rizgjedhjes së Albin Kurtit në krye të Qeverisë të Kosovës shfaqën përkrahjen e tyre në këtë proces.

Drejtuesit e këtyre dy shteteve kërkuan nga kryeministri Albin Kurti angazhim në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Me rastin e rizgjedhjes suaj, ju përgëzoj përzemërsisht. Gëzohem që së bashku me ju të vazhdojmë të thellojmë marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore midis vendeve tona. Para jush dhe qeverisë suaj qëndrojnë detyra sfiduese. Jam i bindur se, me përvojën tuaj, do të merrni vendimet e duhura dhe të nevojshme për integrimin e mëtejshëm euroatlantik të Kosovës. Në këtë përfshihen edhe përparime të mëtejshme në dialogun e normalizimit me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ju siguroj se Kosova, në këto detyra, ka në Gjermani një partner të fortë dhe të besueshëm në krahun e saj”, thuhet veç të tjerash në letrën e kancelarit Merz.

Ndërsa, presidenti Macron tha se Franca gjithashtu do të vazhdojë të qëndrojë krah Kosovës dhe do t’i mbështesë përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

“Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit kanë përcaktuar drejtimin dhe u takon të dyja palëve të zbatojnë angazhimet e ndërmarra, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Ju e njihni përkushtimin tim ndaj objektivit të ribashkimit të kontinentit tonë: Franca është e bindur se vendi i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në rrugën e saj evropiane. Franca do të vazhdojë gjithashtu të mbështesë pa u lodhur përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat përbëjnë një dimension thelbësor të këtij procesi afrimi me Bashkimin Evropian”, thuhet në letrën e presidentit Macron.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›