Franca në gatishmëri të lartë, ndërsa temperaturat arrijnë mbi 40 gradë Celsius

Vala e të nxehtit me temperatura mbi 40 gradë Celsius ka vënë Francën në gjendje të lartë gatishmërie. Shërbimi kombëtar i motit, “Meteo France”, u ka bërë thirrje sot banorëve në pjesën më të madhe të vendit që të tregojnë kujdes të jashtëzakonshëm.
Katërmbëdhjetë departamente administrative janë vendosur në nivelin më të lartë të alarmit për të menaxhuar këtë valë të nxehti. Ministrja e Shëndetësisë, Catherine Vautrin, tha se spitalet janë vënë në gatishmëri për të pranuar pacientë të mundshëm për shkak të temperaturave ekstreme, ndërkohë që kushtet atmosferike kanë shkaktuar rritje të niveleve të ozonit dhe përkeqësim të cilësisë së ajrit në qytete.
Për të ndihmuar qytetarët të freskohen, qyteti i Lion ka mbajtur një park hapur gjatë gjithë natës, duke u lejuar njerëzve të flenë jashtë, ndërsa disa muzeume me ajër të kondicionuar kanë hapur dyert falas për publikun. Hapësirat publike, përfshirë metronë e Parisit, po shfaqin njoftime që i inkurajojnë njerëzit të pijnë mjaftueshëm lëngje dhe të mbrohen nga dielli.
Ndërkohë, rreziku i zjarreve mbetet jashtëzakonisht i lartë për shkak të temperaturave dhe thatësirës. Gjatë fundjavës së kaluar, zjarrfikësit arritën të vendosin nën kontroll zjarrin më të madh ndër dekada, i cili përfshiu jugun e vendit.