E Martë, 3 Nëntor 2026

Frederiksen: Zgjerimi i BE-së duhet të vazhdojë! Rama: Të përfitojmë nga ky moment i BE

TIRANË, 16 maj /ATSH/ Në Tiranë u zhvillua sot Samiti VI i Komunitetit Politik Europian. Kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen, vend që pas Tiranës do të mirëpresë samitin e ardhshëm, që pritet të mbahet në vjeshtë të këtij viti, gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama, u pyet edhe në lidhje me procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe kryesisht Shqipërisë.

Frederiksen theksoi se procesi i zgjerimit varet nga meritokracia, ndërsa nënvizoi se procesi i zgjerimit duhet të vazhdojë. Kryeministrja e Danimarkës shtoi po ashtu se shpreson që gjatë presidencës së Danimarkës të ndërmerren hapa të tjerë në procesin e zgjerimit të BE-së.

“Shpresojmë se po ecën para kjo, të gjithë ne e kuptojmë se është një detyrë shumë e rëndësishme, që do të thotë se procesi i zgjerimit duhet të vazhdojë dhe, siç e thatë edhe ju, disa vende kanë bërë një punë vërtet shumë të mirë. Kështu që nga këndvështrimi evropian, ne duhet të jemi të gjithë bashkë dhe në këtë detyrë në fakt mund edhe të zgjerohemi, por që sigurisht ky proces do të duhet të varet nga meritokracia dhe shpresoj shumë që gjatë presidencës sonë do të marrim disa hapa të tjerë. Nuk ishte pjesë e rendit të ditë sot, por të gjithë e kuptojmë sesa e rëndësishme ishte kjo çështje si dhe të gjitha përpjekjet që janë bërë”, u shpreh Frederiksen.

Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria ka një agjendë ambicioze për të përmbyllur negociatat me Bashkimin Evropian brenda 2027-s. Rama the se duhet të përfitojmë nga ky moment i Evropës për zgjerimin.

“Ky format nuk ka të bëjë me zgjerimin e BE-së apo me procesin e anëtarësimit, por ju dëgjuat dje presidentin e Këshillit Evropian që shpjegoi qasjen ku jemi, çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë është gati të bëjë Bashkimi Evropian. Ne duhet të bëjmë atë që na takon dhe pastaj mund t’u kërkojmë atyre të bëjnë atë që u takon të bëjnë. Është e bazuar në meritë dhe mbështet në gjithë procesin që është i mirëpërcaktuar me një metodologji mjaft të qartë, me grup-kapituj e kapituj që ndjekin njëri-tjetrin.

“Ajo që është e rëndësishme është që kemi një sfidë, kemi një agjendë mjaft ambicioze për të përmbyllur gjithë negociatat brenda 2027-s dhe mendoj se mund ta bëjmë dhe Komisioni Europian është krah nesh për të na ndihmuar. Shtete anëtare janë për të na vëzhguar dhe për t’u siguruar që gjithçka mbështetet në rezultate, por ky moment në kohë është fantastik për zgjerimin, për bashkimin e Evropës dhe na duhet të përfitojmë nga ky moment dhe të shkojmë më tej. Jam shumë i lumtur që ka një ndjesi të përgjithshme që Shqipëria po ecën shumë mirë. Por me këta duhet të arrish rezultate shumë të mira çdo ditë, nuk është se mund të arrish të bësh rezultate të mira e të rrish pastaj duarkryq. Duhet ta bëjmë çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë dhe jemi të përkushtuar ta bëjmë një gjë të tillë”, tha Rama.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›