Fshihte armë në shtëpinë e të moshuarës me probleme mendore, shpallet në kërkim 20-vjeçari në Memaliaj

Një operacion i koduar “Parandalimi”, i zhvilluar nga Policia e Memaliajt në bashkëpunim me DVP Gjirokastër, ka çuar në goditjen e një rasti të fshehjes së armëve të zjarrit për llogari të grupeve kriminale.
Pas një hetimi dymujor me metoda proaktive dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, uniformat blu zbuluan dy armë zjarri tip kallashnikov të fshehura në një banesë të përdorur nga një 72-vjeçare me probleme të shëndetit mendor. Armët ishin fshehur brenda një çante sportive, në një dhomë që shërbente si magazinë.
Hetimet çuan në identifikimin e autorit të dyshuar, shtetasit S. Q., 20 vjeç, banues në Memaliaj, i cili dyshohet se kishte fshehur armët për llogari të një grupi kriminal. Ai është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij, ndërsa armët janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale janë referuar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.