Fusnin lëndë narkotike në burgun e Elbasanit, tre të arrestuar

TIRANË, 23 janar /ATSh/ Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (SHKBB), pas një hetimi të thelluar disa-mujor të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, ka finalizuar me sukses një operacion kundër veprimtarisë kriminale në burgun e Elbasanit.
SHKBB njoftoi se u ekzekutua masa “Arrest me burg” ndaj tre personave nën hetim: Ndriçim Kroi, punonjës policie në IEVP Elbasan, Esmeralda Komici, familjare e një të paraburgosuri dhe Gerald Stamolla, i paraburgosur në IEVP Elbasan
Sipas SHKBB “hetimi, i zhvilluar me metoda speciale, zbuloi një skemë bashkëpunimi për futjen e lëndëve narkotike në institucion me qëllim përfitimin financiar”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/m.q/a.f/