SPAK: Nuk ka filluar procedim penal për 671 kallëzime, telefoni i Prodës nuk është sekuestruar

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Prokuroria e Përgjithshme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka publikuar regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve për informacion në lidhje me hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme.
Një ndër pyetjet e adresuara ishte nëse Byroja Kombëtare e Hetimit ka sekuestruar celularin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, me urdhër të SPAK.
Në përgjigjet e kthyera nga Prokuroria e Posaçme theksohet se “Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) nuk e ka sekuestruar telefonin e Drejtorit të Policisë së Shtetit”.
Një tjetër pyetje e adresuar kishte të bënte me numrin e çështjeve ndaj të cilave SPAK nuk ka nisur hetimet që nga vitit 2019.
Sipas SPAK në lidhje me kallëzimet penale për të cilat është vendosur mosfillim procedimi penal, rezulton se për periudhën 2019 deri në 24 dhjetor 2025, janë 671 kallëzime penale.
“Konkretisht për periudhën 2019-2020 është vendosur mosfillim procedimi penal për 73 kallëzime penale. Për vitin 2021 është vendosur mosfillim procedimi penal për 121 kallëzime penale. Për vitin 2022 është vendosur mosfillim procedimi penal për 60 kallëzime penale. Për vitin 2023 është vendosur mosfillim procedimi penal për 113 kallëzime penale. Për vitin 2024 është vendosur mosfillim procedimi penal për 127 kallëzime penale. Për vitin janar 2025 deri datë 24 dhjetor është vendosur mosfillim procedimi penal për 177 kallëzime penale”, thuhet në përgjigjen e SPAK.
Në lidhje me kërkesat për pushimin e procedimit të dërguara në Gjykatë, sipas SPAK, rezulton se nga vitit 2019 deri në 24 dhjetor 2025 janë pushuar 227 çështje.
Konkretisht “për periudhën 2019-2020 janë dërguar në gjykatë 28 procedime penale, me kërkesë për pushimin e çështjes. Për vitin 2021 janë dërguar në gjykatë 37 procedime penale, me kërkesë për pushimin e çështjes. Për vitin 2022 janë dërguar në gjykatë 38 procedime penale, me kërkesë për pushimin e çështjes. Për vitin 2023 janë dërguar në gjykatë 29 procedime penale, me kërkesë për pushimin e çështjes. Për vitin 2024 janë dërguar në gjykatë 41 procedime penale, me kërkesë për pushimin e çështjes. Për periudhën janar 2025 deri datë 24 dhjetor janë dërguar në gjykatë 54 procedime penale, me kërkesë për pushimin e çështjes”.
/m.q/a.f/r.e/