E Diel, 1 Nëntor 2026

G7 – Macron kërkon rregulla globale për IA dhe paralajmëron rreziqe për demokracitë

EVIAN, 17 qershor /ATSH-DPA/ – Në përfundim të samitit të G7-së në qytetin francez të Evianit, presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje për rregullim më të fortë ndërkombëtar të Inteligjencës Artificiale (IA), duke paralajmëruar se ndikimi i saj mbi demokracitë dhe shoqëritë nuk mund të injorohet më.

Presidenti Macron theksoi se vendet e botës dëshirojnë të përfitojnë nga mundësitë që ofron IA, duke përfshirë rritjen e produktivitetit, përmirësimet në sektorin e shëndetësisë dhe avancimin e digjitalizimit.

Megjithatë, sipas tij, teknologjia po sjell edhe sfida serioze që kërkojnë përgjigje të koordinuara në nivel global.

“Askush nuk mund të injorojë më ndikimin e Inteligjencës Artificiale mbi demokracitë dhe shoqëritë tona”, deklaroi presidenti francez, duke nënvizuar nevojën për krijimin e rregullave të përbashkëta ndërkombëtare.

Komentet e Macron vijnë në një kohë kur po rriten shqetësimet për përdorimin e modeleve të avancuara të IA-së.

Ai përmendi nevojën për bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve demokratike, veçanërisht pas vendimit të fundit të ”Anthropic” për të kufizuar aksesin në disa nga modelet e saj më të avancuara për shtetas të huaj.

Sipas Macron, rregullimi më i mirë i sistemeve të avancuara të IA-së është i domosdoshëm për të parandaluar që këto teknologji të bien në duart e regjimeve autoritare ose individëve që mund të kërcënojnë sigurinë kibernetike dhe stabilitetin e shoqërive demokratike.

Presidenti francez bëri të ditur se disa fuqi demokratike do të nisin krijimin e një platforme bashkëpunimi për të vendosur standarde të përbashkëta në fushën e Inteligjencës Artificiale, duke përfshirë edhe sigurinë kibernetike.

Nisma synon të krijojë një qasje të koordinuar për zhvillimin dhe përdorimin e përgjegjshëm të kësaj teknologjie që po transformon ekonominë dhe jetën e përditshme në mbarë botën./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›