E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusi: KLGJ ka marrë masa për plotësimin e vakancave në sistemin gjyqësor brenda dy viteve të ardhshme

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi bëri të ditur sot se KLGJ ka ndërmarrë masa për plotësimin e vakancave në sistemin gjyqësor brenda dy viteve të ardhshme.

Rusi ishte sot në një seancë dëgjimore në komisionin e Ligjeve mbi raportin vjetor për gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2025.

Në fjalën e tij, Rusi theksoi se problemi i dosjeve të prapambetura nuk është vetëm problem i gjykatave, por lidhet edhe me financat dhe burimet njerëzore të sistemit.

Sipas tij, kufizimet aktuale nuk krijojnë kushtet e nevojshme për zgjidhje në periudhë afatmesme dhe afatgjatë, ndërsa kërkohet rritje e buxhetit për të përballuar ngarkesën.

Rusi bëri të  ditur se aktualisht, nga 417 magjistratë të parashikuar në total, 345 janë në detyrë.

Ndërkohë, 38 magjistratë po përfundojnë studimet në Shkollën e Magjistraturës, ndërsa 42 të tjerë u emëruan në tetor.

Sipas tij, 20 magjistratë po ndjekin vitin e dytë të studimeve dhe vitin e ardhshëm do të kalojnë në vitin e tretë, ndërsa 10 të tjerë do t’i bashkohen sistemit në vijim.

Rusi theksoi se KLGJ po rishikon gjithashtu numrin e përgjithshëm të magjistratëve, me synimin që brenda dy viteve të mbyllen të gjitha vakancat ekzistuese.

Për sa i përket Gjykatave të Apelit, Rusi theksoi se nga 78 magjistratë të parashikuar, aktualisht janë në detyrë vetëm 40, ndërsa 2 të tjerë janë pjesë e KLGJ-së. Për të adresuar mungesat, ai theksoi se janë në proces shqyrtimi 26 procedura për ngritje në detyrë.

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›