G7 – Starmer: Rihapja e Ngushticës së Hormuzit, shumë e rëndësishme për BM-në

FRANCË, 16 qershor /ATSH/- Kryeministri britanik, Keir Starmer deklaroi sot se rihapja e Ngushticës së Hormuzit, është shumë e rëndësishme për Britaninë e Madhe, duke theksuar se ndikimi i saj në çmimet e energjisë ka prekur “çdo shtëpi në vend”, raportoi BBC.
Në një deklaratë të veçantë nga samiti i G7-tës në Francë, Starmer tha se Britania e Madhe do të luajë “rolin e saj të plotë” për të siguruar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, sa më shpejt të jetë e mundur.
Sipas Starmer, kostot e energjisë janë rritur ndjeshëm, pasi Irani u përgjigj ndaj sulmeve amerikane dhe izraelite, duke bllokuar në mënyrë efektive këtë rrugë kyçe detare, për transportin e naftës dhe gazit.
Ai paralajmëroi se pasojat janë ndjerë drejtpërdrejt, në ekonominë britanike dhe në buxhetet familjare.
Duke folur më herët për “Radio Times”, Starmer tha gjithashtu se mirëpret marrëveshjen mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, duke uruar presidentin Donald Trump dhe ndërmjetësuesit për rolin e tyre në arritjen e paktit.
Ai theksoi se kjo marrëveshje do të sjellë një ndryshim të ndjeshëm për ekonomitë dhe stabilitetin në botë, duke shtuar se vendet e G7-tës, janë të bashkuara në qëndrimin se Irani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore. //a.i/