E Diel, 1 Nëntor 2026

G7 – Trump: SHBA mund të rikthejë së shpejti sanksionet ndaj naftës ruse

EVIAN, 16 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot se Uashingtoni mund të rivendosë së shpejti sanksionet ndaj eksporteve të naftës ruse, të cilat ishin zbutur përkohësisht për të stabilizuar tregjet globale të energjisë pas trazirave të shkaktuara nga lufta me Iranin.

“Mjaft shpejt do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë, sepse nafta tani po qarkullon,” tha presidenti Trump gjatë samitit të Grupit të të Shtatëve (G7) në Francë, kur u pyet për mundësinë e rikthimit të sanksioneve.

“Jemi në pozicion ta bëjmë këtë së shpejti”, shtoi ai.

Ai nuk dha një afat konkret.

Çmimet globale të energjisë u rritën ndjeshëm pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit më 28 shkurt, çka çoi në ndërprerjen e trafikut në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin botëror të naftës.

Si reagim ndaj krizës, SHBA-ja lehtësoi disa nga sanksionet ndaj naftës ruse dhe e zgjati disa herë përjashtimin e përkohshëm. Ky përjashtim vlente vetëm për ngarkesat e naftës ruse që ndodheshin tashmë në cisterna në det në momentin e miratimit të masës, duke lejuar shitjen e tyre.

Kritikët argumentuan se kjo masë i dha Rusisë një përfitim financiar, pasi të ardhurat nga nafta ndihmojnë në financimin e luftës së saj në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara kanë ruajtur prej vitesh sanksione ndaj sektorit rus të naftës.

Sipas këtyre masave, edhe vendet apo kompanitë që bëjnë biznes me Rusinë mund të përballen me sanksione në rrethana të caktuara./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›