E Diel, 1 Nëntor 2026

STRASBURG – Schieder: PE do të riafirmojë angazhimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë ndaj BE-së

STRASBURG, 16 qershor /ATSH/ – Parlamenti Europian do të riafirmojë angazhimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë ndaj BE-së, të ndërtuar mbi mbështetjen dërrmuese të publikut dhe të demonstruar nga hapja e të gjitha grupeve të negociatave në vetëm 13 muaj dhe miratimi së fundmi i kontrollit afatmesëm, tha sot në seancën plenare të Parlamentit Evropian raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder.

”Në të njëjtën kohë, ekziston një kuptim i qartë se zgjerimi nuk ka të bëjë me plotësimin e kutive – ai duhet të përmirësojë jetën e njerëzve përmes dialogut të vërtetë social, reformave të guximshme, shtetit të së drejtës, luftës kundër korrupsionit dhe lirisë së medias. Sfida tjetër mbetet kalimi në mbylljen e kapitujve të negociatave”, shtoi ai.

”Vazhdojmë me vendin e dytë në listën e vendeve evropiane që aspirojnë të hyjnë në BE, Shqipërinë. Këto vende tashmë e kanë futur një këmbë në kampin evropian. Këto vende kanë ndjekur hapat e nevojshme. Këto vende kanë mbështetje për këto hapa që kanë hedhur dhe ata kanë 90% mbështetje për projektin e tyre evropian. Objektivi është përfundimi i negociatave deri në fund të 2026 dhe tani kjo duket një perspektivë realiste. Shqipëria ka ndërmarrë angazhime të jashtëzakonshme ndaj modelit evropian”, deklaroi Schieder.

”Të gjithë grupkapitujt janë hapur brenda 13 muajve. Kjo tregon se ka vullnet politik për zbatimin e reformave”, theksoi ai.

”Një pikë tjetër ka të bëjë më menaxhimin e qëndrueshëm të turizmit. Në këtë progres-raport lexohet qartë se turizmi i qëndrueshëm është e vetmja mënyrë. Turizmi hap vende pune dhe krijon rritje ekonomike”, tha ai.

”Unë besoj se të gjitha instrumentet ligjore të BE-së lidhur me mbrojtjen e mjedisit, të natyrës, të zogjve do të jenë shumë të efektshme. Kjo do të thotë se standardet evropiane zbatohen në Shqipëri. Unë besoj se Shqipëria nuk do ta rrezikojë pozicionin e saj dhe do të vazhdojë përpara”, vijoi ai.

”Dhe e fundit, e rëndësishme nuk është vetëm hapja e kapitujve, por mbyllja e tyre. Por, edhe kjo nuk është e mjaftueshme. Duhet të shohim zbatimin e ndryshimeve që janë të rëndësishme për qytetarët. Është e nevojshme zbatimi i reformave të shtetit të së drejtës, reforma që forcojnë drejtësinë sociale dhe reforma që përmirësojnë jetën e njerëzve në mënyrë të prekshme. Në cilësinë e raportuesit, unë kam udhëtuar shumë në Shqipëri dhe atje kam parë optimizëm. Shqipëria dhe qytetarët e saj po punojnë së bashku për t’i arritur objektivat”, theksoi Scheider.

”Kjo është arsyeja pse jam i bindur se Shqipëria mund të jetë historia e ardhshme e suksesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian”, përfundoi eurodeputeti Schieder./  /p.s./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›