G7 – Trump kritikon Izraelin për veprimet në Liban, shfaq irritim ndaj qeverisë Netanyahu

FRANCË, 16 qershor /ATSH/- Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka përsëritur kritikat ndaj veprimeve të Izraelit në Liban, gjatë një deklarate në samitin e G7-tës, në Évian-les-Bains, në Francë, raportoi BBC.
“Nuk është nevoja të rrëzoni një ndërtesë apartamentesh çdo herë që kërkoni dikë”, tha presidenti gjatë një takimi me Emirin e Katarit.
“Sepse ka shumë njerëz në ato ndërtesa dhe nuk janë të gjithë anëtarë të Hezbollahut”, shtoi Trump.
Deklaratat e tij përbëjnë një tjetër seri deklaratash të ashpra, që reflektojnë pakënaqësinë e Trump ndaj veprimeve të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Sipas tij, konflikti i vazhdueshëm në Liban rrezikon të dëmtojë procesin e brishtë të paqes me Iranin.
Megjithatë, Trump i ka quajtur luftimet në Liban si një “luftë të vogël” dhe grupin e mbështetur nga Irani, Hezbollah, si “një shqetësim të vogël që shfaqet vazhdimisht”, duke sugjeruar se marrëveshja me Iranin, mund të mbijetojë edhe nëse sulmet e Izraelit vazhdojnë.
Ai theksoi gjithashtu se Libani ka shumë më tepër rëndësi për Iranin sesa për SHBA-në, duke nënkuptuar se perceptimet e palëve mbi konfliktin janë të ndryshme.
Samiti i G7
Samiti i G7 në Évian-les-Bains mbledh ekonomitë më të mëdha të botës, përkatësisht Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në takime marrin pjesë edhe liderë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe përfaqësues nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Egjipti. //a.i/